NJOFTIM PUBLIK 19.2.2024

Edhe një herë u tregua në vepër koalicioni korruptiv dhe joparimor i dyshes Mickoski-Zaev, deklaroi kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, në konferencën e sotme për shtyp.

Në Këshillin e Komunës së Gjorçe Petrovit në ditë pushimi, të shtunën, u votua në mënyrë kontrabandiste Plani i Detajuar Urbanistik që parashikon ndërtimin e një përbindëshi betoni të përbërë nga 50 objekte në një sipërfaqe banimi prej 240.000 m2.

- Me datë 17.02.2024 të shtunën, në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës së Gjorçe Petrovit, në kundërshtim me të gjitha procedurat dhe shkeljen e shumë ligjeve u votua Plani Urbanistik Detajues me të cilin parashikohet ndërtimi i një përbindëshi betoni të përbërë nga 50 ndërtesa, nga të cilat sipas planit SZ 16 parashikohet ndërtimi i një sipërfaqeje banimi prej 240.000 m2, nga të cilat një ndërtesë 20-katëshe, një 17-katëshe, katër 14-katëshe, dy 12-katëshe, gjashtë 9-katëshe, shtatë 7-katëshe dhe edhe dhjetë ndërtesa të tjera më të vogla, tha Arsovska. 

Gjëja më skandaloze është se me këtë PUD, Komuna e Gjorçe Petrovit mundësoi ndërtimin e tri objekteve të reja industriale dhe afariste nga industria kimike, në një sipërfaqe prej mbi 157.000 m2.

- Por, ajo që është më shqetësuese është fakti se plani parashikon ndërtimin e tri objekteve industriale dhe afariste nga industria kimike, në një sipërfaqe mbi 157.000m2. Kjo është e papranueshme. As unë, dhe as administrata e Qytetit të Shkupit nuk do të lejojmë që kjo të mbetet pa u ndëshkuar. Nuk do të lejojmë që në mes të qytetit të ndodhë një katastrofë e tillë ekologjike dhe sigurie, theksoi Arsovska.

Ky PUD është miratuar në kundërshtim me ligjet, Planin e Përgjithshëm Urbanistik dhe gjatë miratimit të tij nuk janë ndjekur procedurat përkatëse.

-Për ta bërë situatën akoma më tragjike, miratimi i këtij Plani Urbanistik Detajues është në kundërshtim të plotë me Ligjin për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik, me Planin e Përgjithshëm Urbanistik dhe është miratuar pa respektuar procedurat përkatëse, shtoi ajo.

Bëhet fjalë për një plan që nuk ka marrë pëlqimin e Qytetit të Shkupit dhe pas dy mendimeve negative nga administrata e Qytetit, kryetari Aleksandar Stojkoski ka vendosur, në kundërshtim me ligjin, të anashkalojë Qytetin dhe për planin të vendosë Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

- Përkatësisht, komuna e Gjorçe Petrovit në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës të shtunën më 17.02. e ka parashtruar këtë plan para këshilltarëve të komunës,  edhe pse kryetari e dinte se nuk kishte marrë pëlqimin e Qytetit të Shkupit për të njëjtin. Të jem më e saktë, për këtë plan në dy raste paraprake Qyteti i Shkupit ka dhënë mendim negativ dhe vërejtje të cilat komuna është e detyruar t’i mënjanojë dhe ta dërgojë përsëri për miratim Planin Urbanistik Detajues në Qytet. Pas dy mendimeve negative, kryetari Aleksandar Stojkoski vendosi duke shkelur me ligjin, të anashkalojë Qytetin dhe ta dërgojë planin si përfundimtar për miratim në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, e cila udhëhiqet nga Blagoj Boçvarski, njeri i emëruar nga Zoran Zaev, përfundoi Arsovska.