QYTETI I SHKUPIT E KREU PAGESËN PËR SUBVENCIONIMIN PËR BLERJEN E STUFAVE ME PELETA 12.12.2016

Qyteti i Shkupit, në përputhje me Programin për subvencionimin e qytetarëve të qytetit të Shkupit për blerjen e stufave me peleta për vitin 2016, tani më ka bërë pagesën e  kompensimit për një pjesë të shpenzimeve për blerjen e stufave me peleta. Këtë të drejtë e  fituan 196 qytetarë të Shkupit të cilët i plotësuan kushtet e përcaktuara në program dhe ishin të parët që aplikuan për subvencionimin e shpenzimeve.

Që nga publikimi i Thirrjes publike për subvencionim e qytetarëve për blerjen e stufave me peleta /12.10.2016/, dhe deri në mbylljen e thirrjes më datë /04.11.2016/, në Komisionin për këtë dedikim kanë arritur 343 kërkesa. Të gjitha kërkesat janë shqyrtuar dhe në përputhje me mjetet e parashikuara financiare janë pranuar 196 kërkesa, ndërsa një pjesë e kërkesave tjera ose nuk i kanë plotësuar kriteret, ose janë dorëzuar pas shterimit të mjeteve të parapara në program.

Qyteti i Shkupit, me qëllim nxitjen e qytetarëve për të përdorur burime të ripërtëritshme të energjisë për ngrohjen e shtëpive të  tyre, dhe të cilat minimalisht e ndotin ajrin dhe tokën dhe nuk ndikojnë në ndryshimet klimatike, siguroi pagesën e një pjese të mjeteve të shpenzuara për stufa me peleta, të blera pas shpalljes së thirrjes publike, deri në shterimin e buxhetit dedikuar për këtë qëllim.

Mjetet financiare të cilat i kompenson Qyteti i Shkupit janë në vlerë prej 70% nga çmimi  i stufës me peleta, por jo më shumë se 30.000 denarë.

Të drejtë për pjesëmarrje në këtë thirrje publike patën banorët e Qytetit të Shkupit, të cilët kanë  blerë stufa me peleta për ngrohje të hapësirës së banimit së tyre, pas ditës së publikimit të kësaj thirrjeje publike dhe e kanë dorëzuar Formularin për shfrytëzimin e të drejtës  për  kompensim.

Në thirrjen publike nuk kishin të drejtë të marrin pjesë amvisëritë që janë të kyçura në ngrohjen qendrore të qytetit, pavarësisht nëse e përdorin ose jo, si dhe pronarët e ndërtesave të banimit të cilat janë ende në ndërtim e sipër.

Pagesa e mjeteve do të kryhet sipas radhitjes të aplikacioneve të pranuara, deri në plotësimin e buxhetit të parashikuar për këtë qëllim, i cilli është 5.89 milionë denarë, por jo më vonë se 11.30.2016.

Qyteti i Shkupit planifikon edhe vitin e ardhshëm të realizojë aktivitete për kompensimin e shpenzimeve për blerjen dhe instalimin e stufave me peleta në objekte banimi individuale, për çka publiku do të informohet në kohë pas miratimit të buxhetit, diku në fillim të vitit të ardhshëm.