U PREZANTUA PROJEKTI NDËRKOMBËTAR “NDAJE AUTOMMJETIN” (SOCIALCAR) 28.12.2016

Sot, /19.09.2016/ në Sallën e Këshillit të Qytetit të Shkupit u mbajt prezantimi i projektit ndërkombëtar "Ndaje automjetin", gjegjësisht SocialCar, ku mori pjesë  Qyteti i Shkupit, qëllimi i të cilit është zhvillimi i ndërgjegjësimit publik për udhëtim të përbashkët nëpër qytet, për të reduktuar ndotjen e mjedisit dhe për të zvogëluar shpenzimet.

Në prezantimin e projektit "Ndaje automjetin" mori pjesë kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.

- Projekti evropian SocialCar është financuar nga Programi për hulumtim dhe inovacion në Komisionin Evropian - Horizont 2020, dhe dua të falënderoj Komisionin Evropian dhe Agjencinë ekzekutive për Inovacione dhe rrjetëzime për  grantin për këtë projekt. Projekti "Ndaje automjetin" është mënyrë për transport nga një vend në tjetrin duke ndarë automobilin tonë me fqinjin tonë, kolegun tonë, njerëzit nga e njëjta lagje, respktivisht udhëtim të organizuar të përbashkët në të njëjtin drejtim dhe kohë. Me këtë projekt të gjithë mund të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit jetësor, zvogëlimin e ndotjes dhe dendësinë e trafikut në qytetin tonë. Projekti evropian SocialCar është promovim i sistemit inteligjent të transportit në bazë të  qasjes inovative në menaxhimim me kërkesat për transport, në veçanti për sa i përket shërbimit ndaje automobilin në zonat urbane dhe periferike. Projekti SocialCar duhet të zhvillojë rrjetin e ri të komunikimit për mobilitet inteligjent, shkëmbimin e informatave për ndarjen e automobilit, duke u integruar me sistemet ekzistuese për transport dhe lëvizshmëri. Qëllimi i këtij rrjeti është që i njëjti të integrohet natyrshëm në informatat ekzistuese në kohë reale për transportin publik dhe sistemet për “ndaje automobilin”, duke siguruar sistem efikas, me cilësi të lartë dhe multimodal për planifikimin e udhëtimeve. Projekti “Ndaje automobilin” do ta shfrytëzojë përparësinë e mediumeve sociale për komunikim, shkëmbimin e informatave dhe shkëmbimin e të dhënave të dobishme për transportin me ndihmën e algoritmeve inovative me qëllim që t’u mundësojë udhëtarëve njoftimet më të mira  në kohë reale. Jam i bindur se bëhet fjalë për një projekt të suksesshëm që do të përfitojmë të gjithë ne –tha sot  kryetari Trajanovski.

Vasilen Izjotov, koordinator i projektit, në prezantimin e sotshëm i shpjegoi mundësitë për implementimin e këtij projekti, si dhe shembujt e modeleve të shërbimeve SocialCar nga test-qytetet e tjera.

Projekti "Ndaje automjetin” ka për qëllim fillestar ta hulumtojë opinionin publik për transport me automjet të përbashkët. Pyetjet që do t’u parashtrohen qytetarëve janë: a e ndani automobilin tuaj me miqtë apo kolegët, a do të merrni pjesë në rrjet të organizuar për të ndarë automjetin dhe se çfarë do t’ju kishte motivuar që të ndani  automjetin tuaj me udhëtarët e tjerë? Pastaj, duhet të përgatet aplikacioni- softver që qytetarët lehtë,thjeshtë dhe në kohë reale të marrin informata për atë se kush ndan automjetin dhe për kyqjen e mëtejme në sistemin e transportit publik.

Projekti në një vend i bashkon inxhinierët kompjuterik, ekspertët e shkencave sociale dhe ekonomike, inxhinierët e komunikacionit, njerëz që udhëtojnë bashkë dhe autoritetet nga Italia, Greqia, Britania e Madhe, Luksemburgu, Polonia, Zvicra, Maqedonia, Kroacia, Sllovenia, Holanda, Hungaria, Spanja dhe Belgjika. Qëllimi i tyre është të konceptojnë, zhvillojnë, testojnë dhe të zbatohet shërbimi i cili  qytetarëve të zonave urbane dhe periferisë do t’ua lehtësojë udhëtimin.

Me projektin SocialCar do të përcaktohet ecuria e përpunimit të të dhënave dhe do të sajohet softer i cili do ti integrojë kërkesat për udhëtim me ofertën e transportit publik-privat. Me të gjitha modulet e integruara softverike, SocialCar do të testohet në 10 qytete të Evropës

Prezantimi i projektit "Ndaje automobilin” është pjesë e aktiviteteve të Qytetit të Shkupit në ditën e katërt të Javës evropiane të mobilitetit 2016, që po zhvillohet nën moton "Ndaje transportin, kurse të holla, ruaje mjedisin".