RAPORTI I KRYETARIT TË QYTETIT TË SHKUPIT, TRAJANOVSKI, PËR PROJEKTET E REALIZUARA NË VITIN 2016 29.3.2017

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, sot /24.01.2017, e martë/ mbajti  konferencë për media në të cilën raportoi për projektet e realizuara në vitin 2016.

- Viti i kaluar 2016 ishte i suksesshëm për Qytetin e Shkupit, një vit në të cilin kemi realizuar numër të madh të projekteve kapitale në të gjitha 10 komunat në territorin e Shkupit, që do ta përmirësojnë dukshëm cilësinë e jetës për banorët e Shkupit.

Në komunën e Kisella Vodës në vitin 2016 kemi filluar rindërtimin dhe zgjerimin e fazës së tretë të bul.Boris Trajkovski, në pjesën prej te “Staklara” deri në Pintija, projekt që do të zbatohet në tërësi këtë vit. Në vitin 2016 e kemi filluar edhe projektin për depërtimin e bul. Serbia deri te rruga Hristo Tatarçev, realizimi i të cilit do të përfundojë këtë vit. Në vitin 2016 kemi rikonstruktuar rrugën Heronjtë e Popullit. Për vitin 2017 është planifikuar ndërtimi i rrugës Eseninova, e cila do ta lidhë Kisella Vodën dhe Aerodromin.

Në komunën e Aerodromit, në vitin 2016 kemi filluar 2 projekte kapitale të cilat ende po  realizohen, dhe ato janë ndërtimi i bulevardit ASNOM dhe faza  e dytë e projektit për rindërtimin dhe zgjerimin e bul.Brigada e tretë maqedonase. Në vitin 2016 e kemi ndërtuar edhe parkun te stacioni i fundit i autobusit numër 5, i cili shtrihet në 100.000 metra katrorë dhe është parku më i madh në Shkup pas Parkut të Qytetit. Për vitin 2017 kemi paraparë  rindërtimin dhe zgjerimin e rrugës Vasko Karangelevski.

Në Gazi Babë në vitin 2016 e kemi ndërtuar rrethrrotullimin më të madh në Shkup në mes të rrugëve  Brigada e 16-të maqedonase dhe Koce Metalec, e ndërtuam mbikalimin  në bulevardin Aleksandri i Maqedonisë në mes të lagjeve  Inxhikovë dhe Hipodrom, ndërkaq e  kemi përfunduar fazën e parë të projektit për zgjerimin e rrugës Maxhari. Në vitin 2017 kemi paraparë rindërtimin dhe zgjerimin e bulevardit Aleksandri i Maqedonisë nga Agroservisi deri te qarkorja Dijamant.

Në komunën e Çairit në vitin 2016 kemi filluar rindërtimin e bulevardit Kristian Todorovski Karposh në pjesën e Çairit, prej te bulevardi Xhon Kenedi deri te rruga Rokomija që do të përfundojë këtë vit. Në rrjedhë janë punimet për ndërtimin e kanalizimit atmosferik në rrugët Xhon Kenedi dhe Kemal Atatürk. Në vitin 2017 do të nis realizimi i projektit për zgjerimin e rrugës Nikola Karev.

Në Komunën e Butelit në vitin 2016 filloi ndërtimi i bulevardit Kristian Todorovski Karposh në Butel, në pjesën nga kryqëzimi me bulevardin Bosnja Hercegovina deri te rruga Nataniel Kuçevishki (faza e parë), e cila do të përfundojë këtë vit. Vitin e kaluar kemi përfunduar ndërtimin e kanalizimit atmosferik në rrugën Boca Ivanova, ndërsa për vitin 2017 parashikohet rikonstruksioni i një pjesë të rrugës Aleksandar Udarevski.

Në komunën e Shuto Orizarës në vitin 2016 kemi përfunduar projektin kapital për  ndërtimin e një sistemi të ri të furnizimit me ujë në komunën e Shuto Orizarës, ndërsa në vitin 2017 do të ndërtojmë kanalizimin e ri atmosferik  përgjatë rrugës Indira Gandi.

Në Komunën  Gjorçe Petrov në vitin 2016 përfundoi depërtimi i bul.Arradhat Partizane nga  rrethrrotullimi  në Porta Vllae deri te rrethrrotullimi te kisha "Shën Pjetri dhe Pali. Në vitin 2016 gjithashtu u zgjerua dhe u bë depërtimi i rrugës Boris Sarafov si  dhe një pjesë e rrugës Gjorçe Petrov.

Në komunën e Sarajit në vitin 2016 është rikonstruktuar tërësisht rruga numër 5, si dhe rruga kryesore në Shishevë, dhe kemi filluar edhe rindërtimin e pjesës së parë të rrugës kryesore në Saraj, e cila do të përfundojë këtë vit. Në vitin 2017,planifikojmë që ta fillojmë rindërtimin e pjesës së dytë të rrugës Saraj, si dhe rrugën kryesore në fshatin Gllumovë.

Në komunën e Karposhit në vitin 2016 kemi filluar ndërtimin e kolektorit fekal përgjatë bulevardit Arradhat Partizane, në pjesën nga rruga Moskovska deri te bul.8 Shtatori, si dhe zgjerimin e udhëkryqit në mes të bulevardit Mitropolit Teodosij Gologanov dhe rrugës Vasil Çakalarov, që do të përfundojë këtë vit. Vitin e kaluar e kemi ndërtuar dhe pjesën  e tretë të Parkut Maqedonija, i cili ndodhet përballë konviktit Goce Dellçev. Në vitin 2017 do të fillojë ndërtimi i rrethrrotullimit në bulevardin 8 Shtatori te Hubo Marketi.

Në Komunën e Qendrës në vitin 2016 kemi filluar fazën e parë të projektit për zgjerimin  dhe rindërttimin e rrugës Todor Aleksandrov, i cili duhet të përfundojë këtë vit, ndërsa për vitin 2017 është planifikuar zgjerimi i bulevardit Mitropolit Teodosij Gologanov nga kryqëzimi me bulevardin Shën Kliment Ohridski deri te turbo kryqëzimi tek Kisha katolike - tha kryetari Trajanovski.

Përveç këtyre projekteve, kryetari Trajanovski foli edhe për investimet në sferat e tjera, si:arsimi, ekologjia, kultura, sporti, sociale dhe fusha të tjera.