ME BUXHETIN E DYFISHUAR PËR ARSIM NË VITIN 2018 SHKOLLAT E MESME DO TË KENË FASADA DHE KULME TË REJA 15.2.2018

Kryetari Petre Shilegov sot në konferencën për media informoi se Qyteti i Shkupit, në bashkëpunim me shkollat ​​e mesme në kompetencë të tij, fillon projektin e madh investues  për rinovimin e fasadave dhe infrastrukturës në objektet e shkollave.

- Me rikonstuksionin  e fasadave do t'i përfshijmë të gjitha shkollat ​​e mesme që kanë nevojë për të. Me këtë, shkollat ​​do të kenë fasada efikase energjetike, në përputhje me standardet moderne për racionalizimin dhe kursimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes. Përveç rikonstruksionit të fasadave, është planifikuar që aty ku ka nevojë të riparohen edhe kulmet, dyert dhe dritaret. Shuma e mjeteve financiare për këtë qëllim, e parashikuar në buxhetin e Qytetit të Shkupit, arrin 70 milionë denarë. Këto mjete i kemi siguruar me ridedikimin e mjeteve që ishin parashikuar për projektin Shkupi 2014 - tha kryetari Shilegov.

Buxheti i Qytetit të Shkupit për këtë vit për arsim është dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar, dmth nga 81.2 milionë denarë në 163.2 milionë denarë.

Kryetari Shilegov tha gjithashtu se janë paraparë edhe 20 milion denarë, mjete që do të përdoren për pajisjen e shkollave të mesme dhe për rregullimin e infrastrukturës së brendshme sipas prioriteteve të secilës shkollë.

- Në kuadër të këtyre aktiviteteve merret parasysh edhe përshtatja e hapësirës qasëse për nxënësit me aftësi të kufizuara fizike. Kjo do të thotë që do të ndërtohen rampa të jashtme dhe të brendshme qasëse në shkollat ku mungojnë, gjithashtu edhe tualetet do të përshtaten për nevojat e këtyre nxënësve në të gjitha shkollat e mesme në Qytetin e Shkupit - tha Shilegov në konferencën për shtyp.

Kryetari theksoi se me këto aktivitete sigurohet qasje të barabartë për të gjithë,ndërsa nxënësit me aftësi të kufizuara fizike do të kenë qasje në çdo shkollë të mesme të Qytetit të Shkupit.

- Shkupin po e bëjmë qytet me efikasitet energjetik, sepse Shkupi është qytet për të gjithë. Fëmijët tanë meritojnë të mësojnë në kushte më të mira. Planifikojmë këto kushte nëxënësit t'i kenë me fillimin e vitit të ri shkollor - tha Shilegov në fund të fjalës së tij.