SHILEGOV PARALAJMËROI KORRIDOR TË RI ME URË NË VARDAR 6.6.2018

Kryetari Shilegov në konferencën për shtyp sot e paralajmëroi projektin e ri  infrastrukturor për ndërtimin e një korridori të ri me urë mbi lumin Vardar. Ura e re do ta lidhë bulevardin ASNOM te hoteli Rusi përmes Vardarit, nëpër vendbanimin Keramidnica, deri te kryqëzimi te panairi i Shkupit.

- Qyteti i Shkupit e filloi procedurën për ndërtimin e një korridori për lidhjen e Aerodromit, Gazi Babës dhe Qendrës. Depërtimi i këtij korridori të trafikut do të japë një komponent të jashtëzakonshme të zhvillimit të qytetit dhe do të mundësojë që të udhëtojmë më shpejt dhe më sigurt. Nga Lisiçe e epërme deri te Panairi ose nga Autokomanda deri te QT Biser me makinë do të arrihet për vetëm 5 minuta. Koha e lëvizjes për çiklistët dhe këmbësorët gjithashtu do të zvogëlohet në mënyrë drastike - tha Shilegov.

Projekti i ri përveç urës të re mbi Vardar në gjatësi prej 120 metrash, parashikon edhe depërtimin e një rruge të re dhe rindërtimin e një bulevardi të vjetër në gjatësi totale prej 2.170 metra, 5 kryqëzime, 6 korsi rrugore, shtigje të çiklizmit në të dy drejtimet dhe shtigje për këmbësorë. Korridori i ri në qytet domosdoshmërisht do të ndiqet nga linja të reja të autobusëve të transportit publik të qytetit.

- Qytetarët e Shkupit kanë nevojë për zgjidhje që do ta çlirojnë përgjithmonë qytetin nga bllokimet e trafikut, ata meritojnë trafik të shpejtë dhe të sigurt dhe ky është vetëm fillimi i një procesi që çon drejt arritjes së këtij qëllimi - theksoi Shilegov.

Rikujtojmë se në Shkup ka nëntë ura për trafikun motorik përmes Vardarit. Por komuna me më shumë banorë - Aerodromi dhe ajo me aktivitetin më të madh ekonomik - Gazi Baba deri tani janë të lidhur me vetëm një urë.

Projekti, i cili u prezantua sot, ishte parashikuar në PPU që nga viti 1965, dhe deri më tani askush në qytet për këtë projekt nuk ka hartuar dokumentacionin bazë të planifikimit. Ndërtimi i këtij korridori me urë është planifikuar të përfundojë brenda një periudhe jo më të gjatë se 24 muaj nga fillimi i punimeve ndërtimore.