QYTETI I SHKUPIT ME BUXHET MË TË VOGËL DHE PROJEKTE TË REJA 27.6.2018

Në seancën e ardhshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit do të shqyrtohet Propozimi për ndryshimin e Buxhetit të Qytetit të Shkupit me të cilin parashikohet racionalizimi i shpenzimeve të mjeteve buxhetore. Në këtë drejtim Buxheti i qytetit për vitin 2018 do të zvogëlohet në vlerë të përgjithshme prej 27 milion denarë. Me fjalë të tjera në vend të mjeteve të parapara prej 4.254.000.000, Qyteti i Shkupit gjatë vitit 2018 përmes këtij rebalanci planifikon të shpenzojë gjithsej 4.227.000.000 denarë.

Ky rebalanc është përgatitur në përputhje me raportin e parë të miratuar kuartal për realizimin e Buxhetit të Qytetit të Shkupit për vitin 2018. Në kuartalin e parë realizimi i të ardhurave zhvillohet në përputhje me planifikimin, kurse pagimi i shpenzimeve realizohet me rregull dhe në kohë. Të ardhurat e përgjithshme për këtë periudhë të vitit janë realizuar në vlerë prej 1,1 miliardë denarë që paraqet 17 përqind në raport me planin për vitin 2018. Shënohet rritje prej 2 përqind në realizimin e të ardhurave në buxhetin e përgjithshëm të Qytetit të Shkupit në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe paraqet avantazh në mbajtjen e dinamikës pozitive.

Në rebalancin që do të votohet në 20 qershor ndryshime më të mëdha në mjetet e përgjithshme të parashikuara kanë të bëjnë me Sektorin për punë komunale ku është parashikuar rritje e mjeteve për 67.150.000 denarë, si dhe në sektorin për komunikacion ku është parashikuar zvogëlim prej 104.850.000 denarë

Ndryshime në buxhet ka edhe në sektorët për: planifikimin dhe rregullimin e hapësirës (zvogëlim prej 17,39 milion denarë), veprimtari publike (zvogëlim prej 10,36 milion denarë) dhe zhvillim ekonomik lokal. Ndryshime të vogla ka edhe në sektorët për: teknologji informatike dhe modernizim, mjedis jetësor, arsim, bashkëpunim ndërkombëtar, inspektorat dhe BMKZ e Qytetit të Shkupit.

Në pjesën e punëve komunale rritja më e madhe ka të bëjë me rikonstruksionin dhe zgjerimin e gjelbërimit publik ku janë parashikuar 40 milion denarë shtesë. Për pastrimin e deponive të egra janë parashikuar 5 milion denarë shtesë.

Në pjesën e shpenzimeve kapitale nga fusha e urbanizmit, janë parashikuar mjete të cilat nuk ishin parashikuar më parë dhe kanë të bëjnë me ndërtimin e rrugës Leninova, rikonstruksionin e bul. Nikolla Karev, ndërtimin e rr. Boca Ivanova, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe rikonstruksionin e rr.Bradforska, rr. Brigada maqedonase kosovare, rr. Andon Dimitrov (Zharko Zrnjanin), rr. Zhivko Firfov, si dhe ndërtimin, rikonstruksionin dhe mirëmbajtjen e shesheve të vogla.

Në ndryshimet e buxhetit janë parashikuar edhe mjete plotësuese prej 15,5 milion denarë për depozitim të kapitalit themeltar për SHA të re për veprimtari energjetike me të cilën qytetarët e Shkupit do të fitojnë lidhje të shpejtë dhe të lirë të sistemit për energji për ngrohje, si dhe fillimin e procesit për gazifikim të Shkupit.