THIRRJA E DYTË PUBLIKE PËR TRAJNIMIN E PASTRUESVE TË OXHAQEVE 19.7.2018

Qyteti i Shkupit në bashkëpunim me Ministrinë e punës dhe politikës sociale dhe Agjencinë e punësimit të Republikës së Maqedonisë, shpalli thirrjen e dytë publike për realizimin e trajnimeve për profesionin "oxhaqarë" dhe të gjithë personat e interesuar mund të aplikojnë jo më vonë se deri më datën 23.07.2018.

Trajnimi do të zgjasë tre muaj, dhe pas përfundimit të trajnimit, kandidatët do të kryejnë punë praktike të përditshme në kushte reale tek punëdhënësit për një periudhë prej një muaji, në rast se zbatues të trajnimit janë odat ekonomike, odat e zejtarisë dhe shkollat e mesme profesionale. Ndërsa nëse realizues të trajnimit janë kompani private (punëdhënës), puna praktike për një periudhë 1 mujore mund të bëhet me të njëjtën kompani private (punëdhënës).

Kandidatët gjatë kohës së trajnimit do të marrin pagesë prej 9,000 denarë në muaj. Pas përfundimit të trajnimit, secili kandidat, përveç certifikatës, do të pajiset me materiale themelore për hapjen e biznesit dhe punësimit, duke pasur parasysh se pastrimi i oxhaqeve do të subvencionohet nga Qyteti.

Personat e interesuar të papunë mund të aplikojnë në Qendrat e punësimit çdo ditë pune nga ora 9 deri në orën 14. Informata të hollësishme mund të merren në Klubet e punës të Qendrave të punësimit në numrin e telefonit 02 / 3111-850, si dhe në faqet e internetit të Agjencisë së punësimit të Republikës së Maqedonisë. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale e Republikës së Maqedonisë www.mtsp.gov.mk .

Kjo është thirrja e dytë publike këtë vit, ndërkaq kandidatët që kanë aplikuar në thirrjen e parë janë aktualisht duke ndjekur trajnimin profesional. Për këtë qëllim, Qyteti i Shkupit këtë vit parashikoi 10 milionë denarë për subvencione për pastrimin e oxhaqeve.

Rikujtojmë se në Shkup janë vetëm 8 oxhaqarë të regjistruar ndërsa 45% e numrit të përgjithshëm të amvisërive në Shkup ngrohen me dru, që është një e treta e ndotjes totale në qytet. Sipas disa të dhënave në Shkup ka mbi 60,000 oxhaqe që pastrohen shumë rrallë, dhe dihet përgjithësisht se oxhaku i papastër ndot të paktën dy herë më shumë se sa oxhaku i pastruar.

Kjo masë është vetëm një pjesë e hapave të ndërmarrë nga Qyteti i Shkupit për zgjidhjen e problemit të ndotjes së ajrit gjatë muajve të dimrit.