Qyteti i Shkupit do ta rikonstruktojë shtëpinë e alpinistëve në Vodno 18.7.2018

Kryetari Shilegov sot vizitoi Shtëpinë e alpinistëve në Vodno, e cila me kërkesë të alpinistëve do të rikonstruktohet.

“Qyteti i Shkupit me kërkesë të alpinistëve vendosi të riparojë Shtëpinë e alpinistëve në majën e Vodnos. Kjo shtëpi e alpinistëve është vendtakim për fundjavë për një numër të madh personash pushues, alpinistë dhe sportistë, krenari e qytetit dhe një ndër vendet më të preferuara nga i cili Shkupi mund të shihet si në pëllëmbë të dorës. Kjo shtëpi e alpinistëve për një kohë të gjatë ishte lënë nën kujdesin e një numri të caktuar entuziastësh nga Klubi sportiv i alpinistëve Bistra dhe adhuruesish të tjerë të alpinizmit të cilët kujdeseshin për mirëmbajtjen e këtij objekti edhe përkundër kushteve të kufizuara për funksionimin normal të tij”. theksoi Shilegov.

Qyteti i Shkupit bashkë me ndërmarrjet e qytetit siguruan kushtet elementare për qëndrim në shtëpinë e alpinistëve, gjegjësisht, përfundimisht u zgjidh problemi me furnizimin me ujë të pijshëm në shtëpinë e alpinistëve dhe u lëshua në përdorim tualeti i ri.

- Filluan edhe aktivitetet për rregullimin urban të hapësirës, u vendosën ulëse, tavolina, vend-panorama, u ndërtua parku i fëmijëve, u vendosën kosha për mbeturina. Projekti për rikonstruktimin e shtëpisë përfshin edhe rikonstruktimin e plotë të çatisë dhe të dy kateve dhe pajisjen e plotë të shtëpisë me qëllim përmirësimin e kushteve - theksoi Shilegov.

Shilegov në këtë rast u bëri thirrje institucioneve shtetërore dhe kompanive me përgjegjësi shoqërore që të përfshihen në rikonstruktimin e shtëpisë së alpinistëve me qëllim që shtëpia e alpinistëve Vodno të shndërrohet në një qendër sportive, rekreative argëtuese dhe  kulturore për qytetarët e Shkupit, si dhe për të gjithë turistët vendas dhe të huaj.