SHILEGOV: ME BUXHETIN PËRMIRËSOJMË JETËN E QYTETARËVE NË SHKUP 4.7.2018

Në seancën e sotme, të njëzetenjëtë, të Këshillit të Qytetit të Shkupit këshilltarët debatuan në lidhje me Propozim-ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit të Qytetit të Shkupit për vitin 2018.

- Me propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit të Qytetit të Shkupit për vitin2018, buxheti i përgjithshëm është rritur me 80milionë denarë, që përbën një rritje prej 1.3% krahasuar me buxhetin fillestar. Rritja kryhet në buxhetin e dotacioneve, për shkak të buxhetimit të tepricës së të ardhurave të pashpenzuara nga viti i kaluar (63 milionë denarë) dhe dotacionit më të madh për vitin 2018 në fushën e arsimit të mesëm dhe kulturës (15 milion denarë). Rritje propozohet edhe në buxhetin e donacioneve (28 milionë denarë), në pajtim me dinamikën e projekteve të donatorëve dhe futjen e projekteve të reja të donatorëve - tha sot kryetari i Qytetit të Shkupit Shilegov para këshilltarëve. 

Ai shtoi se Buxheti themelor është zvogëluar në vlerë të përgjithshme prej 27 milionë denarë, me ç'rast propozohen më shumë ndryshime në programe dhe projekte në pajtim me dinamikën e vlerësuar të realizimit të projekteve të filluara dhe afatet për realizimin e kontratave të lidhura dhe propozohet realizimi i projekteve të reja kapitale.

Ndryshimet më të mëdha në mjetet e përgjithshme të parashikuara kanë të bëjnë me sektorin për punë komunale ku është parashikuar rritje e mjeteve për 67.15 milionë denarë, si dhe në sektorin e transportit ku është parashikuar zvogëlim i mjeteve në vlerën 104.85 milionë denarë. Ndryshime në buxhet ka edhe në sektorët për planifikimin dhe rregullimin e hapësirës (zvogëlim prej 17,39 milionë denarë), veprimtari publike (zvogëlim prej 10,36 milionë denarë) dhe zhvillim ekonomik lokal. Ndryshime të vogla ka edhe në sektorët për teknologji informatike dhe modernizim, mjedisin jetësor, arsimit, bashkëpunimit ndërkombëtar, inspektoratit dhe Brigadës për mbrojtjen kundër zjarrit të Qytetit të Shkupit. Në pjesën e punëve komunale, rritja më e madhe lidhet me rikonstruksionin dhe ngritjen e gjelbërimit publik, ku janë parashikuar 40 milionë denarë shtesë. Për pastrimin e deponive jolegale janë parashikuar 5 milion denarë më shumë - shpjegoi Shilegov.

Në pjesën e shpenzimeve kapitale në fushën e urbanizmit, janë parashikuar mjete të cilat nuk ishin parashikuar më parë dhe që kanë të bëjnë me ndërtimin e mundshëm të rrugëve “Eseninova” dhe “Boca Ivanova”; rikonstruksioni i bulevardit “Nikolla Karev”; ndërtimin, mirëmbajtjen dhe rikonstruksionin e rrugëve “Bradfordska”, “Makedonska brigada”, “Andon Dimitrov” (Zharko Zrenjanin) dhe “Zhivko Firfov” (Uzhiçka Republika); si dhe ndërtimin, rikonstruksionin dhe mirëmbajtjen e shesheve të vogla.

Në ndryshimet e buxhetit janë parashikuar 15,5 milionë denarë shtesë për themelimin e Shoqërisë së re aksionare për veprimtari energjetike me të cilën qytetarët e Shkupit do të kenë lidhje të shpejtë dhe të lirë në sistemin e energjisë ngrohëse, si dhe fillimin e procesit të gazifikimit të Shkupit.

 

Në seancën e sotme u diskutua edhe për ndryshimet në Planin e programeve për zhvillim për periudhën 2018-2020, të cilat propozohen në pajtim me dinamikën për realizimin e projekteve zhvillimore në vitin 2018 dhe në dy vitet e ardhshme. Plani i programeve të zhvillimit për periudhën 2018-2020 përfshin të gjitha projektet kapitale, zbatimi i të cilave do të zhvillohet në disa faza gjatë dy apo më shumë viteve dhe që synojnë modernizimin e zhvillimit urban të qytetit tonë dhe përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve.