KYÇUNI NË DEBATIN PUBLIK PËR NDËRTIMIN E GAZSJELLËSIT NË VODNO 5.9.2018

Sot, në orën 13:00, në sallën e Këshillit të Qytetit të Shkupit do të mbahet një debat publik lidhur me ndërtimin e gazsjellësit në Vodno. Debati synon të ndihmojë në sqarimin e shumë dilemave dhe pyetjeve rreth këtij projekti që kanë dalë në publik dhe kanë shkaktuar shqetësime në mesin e qytetarëve dhe shoqatave të mbrojtjes së mjedisit jetësor.

Në këtë debat publik janë ftuar të gjitha institucionet që në çfarë do mënyre janë të lidhura me ndërtimin e rrugës së gazsjellësit: Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Agjencia për planifikim hapësinor, Inspektorati shtetëror për ndërtimtari dhe urbanizëm dhe mjedis jetësor, Ndërmarrjet Publike "Pyjet e Maqedonisë" dhe "Parqet dhe gjelbërimi ", Fakulteti i Pylltarisë, Komuna Sopishte, Oda Ekonomike e Maqedonisë, Lidhja e odave ekonomike të Maqedonisë dhe Oda konomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore.

Debati i sotëm është i hapur për publikun dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në mënyrë që të gjithë qytetarët e interesuar ta ndjekin atë. Synimi i Qytetit të Shkupit është në mënyrë transparente të dëgjohen argumentet e të gjitha palëve, përfaqësuesit e institucioneve të përfshira në ndërtimin e gazsjellësit, si dhe përfaqësuesit e iniciativës "E dua Vodnon".