REBALANC I BUXHETIT : QYTETI I SHKUPIT ME SHPENZIME TË ZVOGËLUARA DHE PROJEKTE TË REJA 18.10.2018

Në seancën e ardhshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit do të shqyrtohet Propozimi për ndryshimin e Buxhetit të Qytetit të Shkupit për vitin 2018, i cili parasheh racionalizimin e shpenzimeve të mjeteve buxhetore. Në këtë drejtim, Buxheti i Qytetit për vitin 2018 do të reduktohet për gjithsej 346 milion denarë. Me fjalë të tjera, në vend të mjeteve të parashikuara prej 4.23 miliardë denarë Qyteti i Shkupit gjatë vitit 2018, me këtë rebalanc planifikon të shpenzojë gjithsej 3.88 miliardë denarë.

Ky rebalanc  është përgatitur në pajtim me Raportin e dytë  kuartal për realizimin e Buxhetit të Qytetit të Shkupit për vitin 2018. Në gjysmën e parë të vitit realizimi i të hyrave është zhvilluar në përputhje me planifikimet, dhe pagesat e shpenzimeve kryhen rregullisht dhe në kohë. Të ardhurat e përgjithshme për këtë periudhë të vitit janë realizuar në vlerë prej 2.2 miliardë denarë, që është 36% krahasuar me planin për vitin 2018.

Në rebalancin që do të votohet më 27 shtator, ndryshimet më të mëdha në mjetet e parashikuara i referohen Sektorit për planifikimin dhe rregullimin e tokës ndërtimore, ku parashikohet zvogëlim i mjeteve për 226.82 milionë denarë, si dhe Sektori për komunikacion ku është parashikuar zvogëlim prej 32 milion denarë.

Zvogëlimi i mjeteve në Sektorin e planifikimit dhe rregullimit të tokës ndërtimore bëhet për shkak të çmimeve më të lira të arritura gjatë procedurave të tenderimit të projekteve të realizuara gjatë këtij viti në raport me projektet e viteve të kaluara. Për shembull, për bulevardin Hristian Todorovski Karposh, procedura e tenderimit e të cilit për fazën e parë ka përfunduar në vitin 2016, ka arritur çmim dukshëm më të lartë për kilometër në krahasim me fazën e dytë, procedurat e tenderit të të cilit përfunduan këtë vit. Faza e dytë për të njëjtin bulevard gjatë procedurës së tenderit arrin çmimin për kilometër që është 21.85% më lirë se çmimi i fazës së parë.

Ndryshime në buxhet ka edhe në sektorët: teknologjia e informatike dhe modernizimi (ulje prej 32.1 milion denarë) dhe punët e përgjithshme (ulje prej 23.05 milion denarë). Ndryshime të parëndësishme ka edhe në sektorët e: mjedisit jetësor, zhvillimit ekonomik lokal, arsimit, çështjet komunale, çështjet juridike, çështjet publike, si dhe në inspektorat.

Në pjesën e punëve komunale janë parashikuar 5 milionë denarë për prokurimin e kontejnerëve për deponimin e mbeturinave, 5 milion denarë për prokurimin e automjeteve për mbledhjen e mbeturinave dhe 3 milion denarë për pajisje në stacionin Vardarishte. Në fushën e planifikimit dhe rregullimit të tokës ndërtimore, janë paraparë edhe 3.18 milion denarë për projekte për përmbajtje të jashtme për sport, objekte sportive dhe për kulturë, si dhe 1.5 milionë denarë shtesë për parkingje dhe mini terrene sportive.