VINTERLEND - VENDBANIMI I PARË I VITIT TË RI NË SHKUP 27.12.2018

 

Vendbanimi i Vitit të Ri në sheshin "Maqedonia" me shtëpiza të dekoruara, borë artificiale, kënde për lojëra dhe të qeshura si dhe program çdo ditë me përmbajtje interesante për qytetarët -  është vetëm një pjesë e programit të Vitit të Ri i përgatitur nga Qyteti i Shkupit në prag të festës së Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve që e paralajmëroi kryetari Shilegov në konferencën e sotme për shtyp.

- Gjatë muajit dhjetor, për herë të parë në sheshin "Maqedonia", do të ketë vendbanim të Vitit të Ri diçka që nuk ka pasur deri tash në Shkup. Plani ynë është që vendbanimi me emrin Winterland (Vendi dimëror) për qytetarët të hapet më 7 dhjetor. Në të do të ketë shtëpiza të zbukuruara në ambient të Vitit të Ri dhe skenë të vogël ku çdo ditë do të organizohen aktivitete që do ta tërheqin interesin e të gjithë qytetarëve, pavarësisht moshës. Do të ketë edhe top për të krijuar borë artificiale, e cila do ta plotësojë imazhin e dimrit. Do të ketë edhe terrene të lojërave për fëmijë, si dhe ngjarje të ndryshme me karakter të Vitit të Ri. Në mes do të vendoset edhe bredhi i Vitit të Ri dhe hapësira rreth tij do të organizohet si pjesë për ushqime dhe pije, ku njerëzit mund të ulen dhe të kënaqen me ofertat e shtëpizave përreth - tha sot Shilegov.

 

 

Ai njoftoi se rrugët dhe bulevardet e qytetit do të dekorohen javën e ardhshme.

- Pres që të krijohet  atmosferë e vërtetë e Vitit të Ri në Shkup. Përfundimisht është koha që qytetarëve të Shkupit t'u ofrojmë festë evropiane të Vitit të Ri, diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë në qytet. Prandaj, i ftoj qytetarët që ta vizitojnë vendbanimin e Vitit të Ri dhe të kënaqen në ambientet festive me të dashurit e tyre - shtoi Shilegov.

Programin e plotë për kremtimin e Vitit të Ri, i cili do të fillojë më 15 dhjetor, si dhe festimi i natës së Vitit të Ri më 31 dhjetor, Qyteti i Shkupit do ta shpallë në mënyrë plotësuese.