SHKUPI ËSHTË QYTETI I PARË NGA MAQEDONIA QË ËSHTË BASHKUAR NË RRJETIN E QYTETEVE TË GJELBRA 27.3.2019

 

Kryetari Petre Shilegov dhe kryetarja e Këshillit të Qytetit të Shkupit, Ljubica Jançeva, sot morën pjesë në punëtorinë për projektin "Plani aksional - Shkupi Qytet i Gjelbër", i cili mbështetet nga Banka Evropiane për rindërtim dhe zhvillim dhe synon të identifikojë sfidat më të rëndësishme për përmirësimin e mjedisit jetësor dhe të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm të Shkupit.

 

 

- Qytetet janë nxitësit kryesorë të zhvillimit social, ekonomik dhe teknologjik të shoqërisë. Sipas KB rreth gjysma e popullsisë së botës jeton në zonat urbane dhe deri në vitin 2030 kjo përqindje mund të rritet mbi 60%. Aktivitetet urbane ndikojnë shumë në mjedisin jetësor dhe në cilësinë e përgjithshme të jetës së qytetarëve në zonat urbane. Pikërisht për shkak të kësaj, autoritetet lokale e kanë obligim të kujdesen për mjedisin jetësor, cilësinë e ajrit dhe bllokimin e trafikut i cili bën presion mbi sipërfaqet e kufizuara të gjelbëruara, tokën dhe burimet ujore. Për zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve të gjelbra, është shumë e rëndësishme të njihen marrëdhëniet ndërmjet aspekteve të mjedisit jetësor dhe çështjeve ekonomike dhe shoqërore. Të menduarit i këtillë është plotësisht në përputhje me Agjendën për zhvillim të qëndrueshëm dhe Qëllimet e KB për zhvillim të qëndrueshëm deri në vitin 2030, dhe në veçanti Qëllimin 11, me të cilin u bëhet thirrje autoriteteve që t'i bëjnë qytetet dhe vendbanimet gjithëpërfshirëse, të sigurta dhe të qëndrueshme - tha sot kryetari Shilegov.

 

 

“Programi i qyteteve të gjelbra” i Bankës evropiane për rindërtim dhe zhvillim (BERZH) synon të ndërtojë një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme për qytetet dhe qytetarët. Kjo arrihet përmes identifikimit, përcaktimit të prioriteteve dhe ndërlidhjen e sfidave për mjedisin jetësor me qytetet me investime të qëndrueshme infrastrukturore dhe politikat publike.

 

 

- Qyteti i Shkupit është qyteti i parë në Maqedoni që është bashkangjitur në rrjetin e qyteteve të gjelbra dhe po fillon përgatitjen e Planit aksional për qytet të gjelbër, i cili është i fokusuar në një sërë sfidash në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm urban dhe mjedisit jetësor në qytet. Iniciativa fillestare për fillimin e këtij procesi ishte zbatimi i projektit nga Qyteti i Shkupit dhe NTP për blerjen e 35 autobusëve të gazit natyror (CNG) në vlerë prej 10 milionë euro, fonde të siguruara nëpërmjet një kredie nga BERZH. Plani aksional duhet t'i ndihmojë Qytetit të Shkupit për të identifikuar sfidat më të ndjeshme të mjedisit jetësor, të bëjë listë të prioriteteve dhe t'i adresojë ato. Kjo ka të bëjë me: mbeturinat e ngurta dhe riciklimin, ngrohjen qendrore, trajtimin e ujërave të zeza dhe transportin urban; me qëllim për të reduktuar ndotjen lokale, për të përmirësuar efikasitetin energjetik dhe efikasitetin e resurseve, si dhe për të promovuar përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, shtoi Shilegov.

 

 

Plani aksional do të përpilohet për rreth 13 muaj, para se të shqyrtohet dhe miratohet në seancë të Këshillit të Qytetit të Shkupit. Sektorët kryesorë që do të përfshihen me këtë plan aksional janë: trafiku, ndërtesat, industria, energjia, uji, mbetjet e ngurta dhe përdorimi i tokës. Në përgatitjen e Planit aksional do të zbatohen indikatorët e përcaktuar që të tregohet gjendja aktuale e mjedisit/ ekologjisë në qytet dhe pastaj të zhvillohet vizioni afatgjatë (10 vjet), prioritetet afatmesme (5-10 vjet) dhe aksionet/masat afatshkurtra (nga 1 deri në 5 vjet).

Në punëtori morën pjesë përfaqësues të BERZH dhe projektit ATKINS.