NESËR DO TË VRAPOHET VIZ ER MARATONA E 15 –TË NË RRUGËT E QYTETIT 3.5.2019

 

 

Disa mijëra maratonistë, gjysmë maratonistë dhe maratonistë rekreativë do të vrapojnë nesër në rrugët e qytetit dhe do të marrin pjesë në Maratonën e 15-të Viz Er Maratona e Shkupit, ngjarja më masive dhe më atraktive sportive në vend. Detajet lidhur me garën e këtij viti në konferencën e sotme për shtyp i kumtuan kryetari Petre Shilegov, drejtori i maratonës, Kire Sinadinovski dhe atletët Adriana Pop Arsova dhe Aleksandar Kiraxhiev.

- Qyteti i Shkupit, së bashku me Zyrën e Bashkimit Evropian, Agjencinë për sport dhe  rini dhe Lidhja e Sporteve të Shkupit në bashkëpunim me Federatën atletike, klubet sportive dhe numrin e madh të vullnetarëve, arriti të bëjë ngjarje të njohur sportive ndërkombëtarisht në të cilën çdo vit gjithnjë e më shumë po paraqiten profesionistë, nxënës nga shkollat ​​fillore dhe të mesme, miqtë e sportit dhe të energjisë pozitive. Viz Er Maratona e Shkupit është shndërruar  në një nga maratonat më të njohura në Ballkan. Për reputacionin dhe renomenë e maratonës flet edhe fakti se ajo është e rëndësishme edhe për të plotësuar normat për pjesëmarrje në të gjitha kampionatet kryesore evropiane dhe botërore si dhe Lojërat Olimpike. Gëzohem që këtë vit janë paraqitur një numër  rekord prej 12.500 pjesëmarrësve nga 58 vende të botës. Në garë do të marrin pjesë edhe 60 punonjës të administratës së qytetit - tha Shilegov.

 

 

Pjesëmarrësve në gara Shilegovi u dëshiroi mot të mirë dhe argëtim të këndshëm dhe theksoi se janë krijuar të gjitha kushtet që këtë vit të kemi edicionin më të mirë të maratonës deri tani.

- Në organizimin e maratonës janë përfshirë qindra profesionistë dhe vullnetarë të cilët do të kujdesen që garat të kalojnë sa më mirë, dhe shfrytëzoj këtë rast t'u falënderohem për angazhimin e tyre, që është shumë i rëndësishëm për suksesin e këtij manifestimi. Edhe këtë vit, për këtë manifestim, Qyteti i Shkupit ka ndarë 1.500.000 denarë nga buxheti i tij dhe ka vënë në dispozicion të gjitha ndërmarrjet publike të qytetit - shtoi Shilegov.

 

 

Drejtori i maratonës, Sinadinovski, u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në numër sa më të madh në rrugët e qytetit dhe t'i inkurajojnë garuesit me duartrokitje, por edhe me parulla interesante.

- Këtë vit, në disa lokacione përgjatë shtegut garuesit dhe spektatorët do të argëtohen nga grupe muzikore dhe dixhejë. Më gëzon interesimi që treguan qytetarët për katër garat dhe që numri i pjesëmarrësve të regjistruar po rritet nga viti në vit. Presim rekorde të reja në korsinë e vrapimit. Fondi shpërblyes i maratonës është 18,000 euro - tha Sinadinovski.