SHILEGOV: "VARDARISHTE" ËSHTË E KALUAR, NDËRMARRJE TË RE PUBLIKE PËR QENTË E RRUGËS 31.1.2019

 

Kryetari Shilegov mori sot vendim me të cilin prej sot të fillojë procedura për formimin e ndërmarrjes të re publike që do të jetë përgjegjëse për trajtimin dhe mirëqenien e kafshëve të rrugës, me çka stacionari “Vardarishte” do t'i takojë të kaluarës.

-Stacionari “Vardarishte” nuk do të jetë më në kompetencë të NP ”Higjiena komunale”, por do të ketë status të barabartë me ndërmarrjet e tjera publike që merren me shërbimet publike në qytet - higjiena, parkimi, mirëmbajtja e parqeve dhe gjelbërimit dhe transporti publik i udhëtarëve . Ndërmarrja e re publike, nën kompetenca të saja do t'i ndërmarrë plotësisht aktivitetet për kapjen e qenve endacakë, sterilizimin, kujdesin veterinar, regjistrimin dhe procedurat për strehim nga qytetarët e interesuar - tha kryetari Shilegov në konferencën e sotme për shtyp.

Procedurat për themelimin e ndërmarrjes së re po rrjedhin paralelisht me procesin e çipimit . Qëllimi është që të kontrollohet njëkohësisht fluksi mekanik i qenve në rrugë, i shkaktuar nga pronarët e papërgjegjshëm dhe të fillojë procesi i futjes së një qasjeje të re sistematike për trajtimin e kafshëve endacake.

Ky problem kërkon përfshirjen e disa institucioneve në nivel lokal dhe kombëtar dhe përfshirjen e aktivistëve dhe shoqatave të shoqërisë civile në mënyrë që të minimizohet numri i qenve të rrugës në mënyrë që do të sigurohet mirëqenia e tyre, por gjithashtu do të garantojë lëvizje të sigurtë dhe pa pengesa të qytetarëve në sipërfaqet urbane publike.

-Duhet të kihet parasysh se Shkupi nuk është ishull i izoluar dhe qasja e njëanshme për zgjidhjen e problemit nga administrata e qytetit nuk do të çojë në qëllimin e dëshiruar për tejkalimin e situatës aktuale. Duhet ta dimë se migrimi i qenve nuk zgjidhet me rregullore, ligje, sterilizimi, por me sjellje të përgjegjshme të të gjitha institucioneve kompetente. Kjo do të thotë se nuk ka zgjidhje të menjëhershme me të cilën qentë do të zhduken nga rrugët, por kjo nuk është dhe nuk guxon të jetë arsyetim i institucioneve për të ikur nga zgjidhja e këtij problemi, por përkundrazi me një qasje të koordinuar sistemore të pranohet sfida për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme - tha Shilegov.

Paralelisht me përgatitjen e procedurave administrative për themelimin e ndërmarrjes së re publike, Qyteti i Shkupit do të konsultohet me shoqatat për mbrojtjen dhe avancimin e  të drejtave të kafshëve për formën dhe mënyrën e përfshirjes së tyre në të tërë konceptin, sepse profesionalizmi dhe përvoja e tyre mund të shfrytëzohen maksimalisht  në favor të mirëqenies së këtyre kafshëve.

- Ndërmarrja e re publike do të themelohet me mjete buxhetore të Qytetit të Shkupit, do t'i rrisim ato që i kemi dhënë deri tani, si dhe me mjete nga ndërmarrja publike “Higjiena komunale". Në punën e ndërmarrjes së re, do të përfshihet edhe një pjesë e personelit ekzistues dhe shpresoj sinqerisht që aktivistët e shoqatave të mbrojtjes së kafshëve do të përfshihen në mënyrë profesionale dhe vullnetare - shtoi Shilegov.

 Kryetari i kujtoi dhe u bëri thirrje qytetarëve që edhe tash prej ditës së martë deri të shtunën mund ta vizitojnë stacionarin Vardarishte, nga ora 09:00 deri në orën 13:00, dhe të zgjedhin një qen për birësim. Kështu, qentë e caktuar për strehim, qytetarëve u jepen të trajtuar, të vaksinuar dhe pa kompensim. Çdo qytetar që strehon qen duhet të plotësojë një formular me të dhënat e tij dhe të obligohet se do të jetë pronar i përgjegjshëm, duke respektuar ligjet ekzistuese.

Në pyetje të gazetarëve në lidhje me këtë temë, kryetari Shilegov tha se emri i ndërmarrjes së re publike ende nuk është vendosur, por dëshira e tij është të quhet "Lajka" - qeni që ndryshoi njerëzimin, e cila u mor nga rrugët e Moskës. Sipas tij, ky emër do të ishte simbolikë e shkëlqyer për konceptin e ri në kujdesin e qenve të rrugës.