Arsovska: Në Shkup po realizohet projekti më i madh eko-kapital me vlerë mbi 160 milionë euro 1.4.2022

“Për herë të parë në rajon po realizojmë projekt në vlerë mbi 160 milionë euro për një stacionin pastrues në Shkup ku do të pastrohen mbi 90% e ujërave të zeza urbane në Shkup. Ky është projekti më i madh ekologjik në vend. Do të fillojmë një projekt për riciklimin e mbeturinave ndërtimore, i cili gjithashtu do të realizohet për herë të parë”, tha kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska, në TV Shenja.

Për kryetaren e Shkupit ekologjia është prioritet dhe deri më tani është dëshmuar si zgjidhje sistematike e suksesshme pastrimi i deponive në qytet.

“Të gjitha deponitë ilegale që janë detektuar në aktivitetet parazgjedhore janë pastruar. Këto janë mbi 150 deponi. Disa prej tyre janë duke u sanuar, duke u shndërruar në sipërfaqe të gjelbëruara, për shembull njëra prej tyre është në Gjorçe Petrov ku tani do të ketë park. Kemi zgjidhje sistematike, gjegjësisht kontrolle të vazhdueshme, gjoba të larta, raportime nga qytetarët për tentativa për krijimin e deponive të reja. Ne po e zgjidhim këtë problem sistematikisht, sepse deri më tani nuk ka pasur zgjidhje të tilla”, shtoi Arsovska.