Arsovska: Ta rrisim ndërgjegjësimin për rëndësinë e familjeve kujdestare të cilat ofrojnë shtëpi të ngrohtë për fëmijët pa prindër 1.6.2022

Fushata nacionale “Shtrije dorën dhe ndrysho jetë – bëhu kujdestar!” e cila synon të inkurajojë sa më shumë qytetarë që të bëhen kujdestarë të fëmijëve pa përkujdesje prindërore ka filluar sot, me një manifestim të mbajtur në sheshin “Maqedonia”. Përkrahje të numrit të madh të familjeve kujdestare, dhe fëmijëve të tyre i dha edhe kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska.

-Në këtë ditë të bukur, kur festojmë Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve dhe Ditën Ndërkombëtare të Familjeve kujdestare, 1 Qershorin, kemi synim të përbashkët, jashtëzakonisht human. Së pari, të falënderojmë të gjitha familjet që tashmë janë të përfshira në sistemin e kujdestarisë dhe që tregojnë virtytin më të madh njerëzor, për t'ua dhënë dashurinë dhe vëmendjen e tyre më të vegjëlve tanë, më të brishtëve, më të pambrojturve dhe për t'i ndihmuar ata të hapërojnë në jetë me ndjenjë të fuqishme, duke u ndjerë të dashur, me kokën lart, me mbështetje të parezervë për të gjitha sfidat me të cilat do të takohen në jetë. Misioni humanitar i këtyre njerëzve është i paçmuar për ata që kanë më shumë nevojë për ndihmën tonë, por edhe për të gjithë shoqërinë tonë e cila përpiqet të jetë më humane dhe më tolerante. Së dyti, synimi ynë sot është të inkurajojmë bashkëqytetarët tanë që kanë dëshirë dhe mundësi të marrin në kujdestari  fëmijë dhe të mbushin jetën e tyre me gëzim dhe të qeshura fëmijërore. Marrja e një roli të këtillë, roli i familjes kujdestare nuk është i lehtë, duhet investuar shumë mund dhe energji që një fëmijë të rritet në një individ të shëndetshëm dhe të suksesshëm, i cili do të jetë në gjendje të hapërojë në rrugën e jetës. Por në të njëjtën kohë, ai rol është shumë fisnik, mirënjohës dhe human, ndërsa shpërblimi më i madh për mundin dhe përkushtimin është në fakt dashuria që do të shihni në sytë e fëmijëve. Nuk ka gjë më të bukur se buzëqeshja dhe gëzimi i një fëmije, duke ditur se ata kanë shtëpi të ngrohtë dhe një familje kujdestare që kujdeset për ta - tha sot kryetarja Arsovska në fjalimin e saj para të pranishmëve.


Ajo shtoi se edhe Qyteti i Shkupit i është bashkangjitur projektit “Përmirësimi i mangësive sistematike – mbështetje për reformat në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve” të cilin e zbaton SOS Fshati i Fëmijëve.

- Punojmë së bashku për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e familjeve kujdestare. Në Qytetin e Shkupit keni partner dhe përkrahje për të gjitha aktivitetet tuaja, sepse kujdesi dhe përkrahja për grupet e ndjeshme të qytetarëve është prioritet në punën tonë, dhe posaçërisht jemi të përkushtuar në kujdesin ndaj fëmijëve pa prindër dhe personave me nevoja të posaçme. Prandaj, shfrytëzoj rastin t'i bëj edhe një herë thirrje sa më shumë familjeve që t'i bashkohen sistemit të kujdestarisë dhe t'i sigurojnë ndonjë fëmije shtëpi të ngrohtë, siguri dhe dashuri. Nuk ka mision më të madh dhe më human në jetë sesa t'ia shtrish dorën dhe t'i ndryshosh jetën dikujt - tha Arsovska.

Në manifestimin e sotëm në sheshin “Maqedonia” morën pjesë një numër i madh i qytetarëve të interesuar për përkujdesjen e fëmijëve, të cilët morën këshilla nga punëtorë profesionistë nga Qendra për Punë Sociale dhe Qendra për Përkrahje të Familjeve Kujdestare. Fushata "Shtrije dorën, ndrysho jetë - bëhu kujdestar" pritet të rrisë ndërgjegjësimin për kujdesin ndaj fëmijëve pa përkujdesje prindërore dhe të rrisë numrin e kujdestarëve potencial, dhe në të njëjtën kohë të krijojë rrjet të qasës të kujdestarëve/të afërmve në të gjithë territorin e shtetit. Prandaj në periudhën në vijim do të organizohen evente për promovimin e kujdestarisë në 24 qytete të tjera të vendit tonë.

Kjo fushatë realizohet nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe SOS Fshati i Fëmijëve, në bashkëpunim me Entin për Veprimtari Sociale, Qendrat për Mbështetjen e Familjeve Kujdestare, Qendrat për Punë Sociale dhe Vetëqeverisjen Lokale.