Fillon realizimi i projektit më të madh ekologjik në Shkup me vlerë 136 milionë euro 1.3.2022

Qyteti i Shkupit dhe NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime” këtë vit nisin realizimin e projektit për ndërtimin e Stacionit të pastrimit për trajtimin e ujërave të zeza - Shkup, si projekti më i madh ekologjik për Shkupin dhe shkupjanët, projekt me vlerë prej 136 milionë euro. Me këtë projekt do të pastrohen 90% e ujërave në qytet.

Sot në ambientet e NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime” – Shkup u hapën ofertat e tenderit për projektimin dhe ndërtimin e stacionit të ri të pastrimit ku morën pjesë kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, drejtori i NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime”, Zlatko Perinski dhe përfaqësues të Delegacioni Evropian, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Evropiane të Investimeve dhe Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF) - Zyra për Koordinim e IFI (IFICO).

Kryetarja Arsovska theksoi se ndërtimi i këtij stacioni pastrimi është projekti më i madh ekologjik, kapital, për Shkupin dhe shkupjanët, duke shtuar se në këtë mënyrë përfundimisht do të mundësohet trajtimi i ujërave të zeza urbane në përputhje me standardet e BE-së.

“Me ndërtimin e këtij stacioni pastrimi për trajtimin e ujërave të zeza, Shkupi më në fund ka mundësinë të zhvillohet si një metropol ekologjik që kujdeset për mjedisin dhe shkupjanët. Nëse deri më tani ujërat e zeza derdheshin direkt në Vardar, duke ndotur me vetëdije mjedisin dhe shëndetin publik, tani më në fund do të kemi mundësinë që në mënyrë aktive të veprojmë, t’i ndryshojmë gjërat dhe t'i japim fund ndotjes së lumit Vardar, qytetit, por mbi të gjitha, të sigurojmë ujë të pijshëm më të mirë për popullatën dhe të përmirësojmë cilësinë e jetës së shkupjanëve" tha Arsovska.

Në këtë event mori fjalën edhe përfaqësuesi i Bankës Evropiane të Investimeve (EIB), z. Alesandro Bragonzi i cili theksoi se ky projekt është i një rëndësie madhore për banorët dhe qytetin e Shkupit. Bragonzi theksoi se është me rëndësi të madhe që projekti po zhvillohet pa probleme dhe me ritëm të shkëlqyer dhe shtoi se me finalizimin e këtij projekti do të zgjidhet problemi me ujërat e zeza, do të ruhet mjedisi dhe qytetarët e Shkupit do të kenë ujë më të pastër.

Drejtori i NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime”, Zlatko Perinski në fjalën e tij prezantoi procedurat për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm ekologjik, kapital, duke iu referuar rëndësisë së ndërtimit të stacionit të pastrimit, për të cilin thotë se me këtë  qyteti i Shkupit do të ketë mbi 90% ujëra të pastruara.

“Iniciativa për këtë lloj projekti me të cilin përfundimisht do të vendoset një sistem ekologjik për pastrimin e ujërave në Shkup daton nga viti 2007, i aktualizuar përsëri në prill të vitit 2017, me përgatitjen e Studimit për financimin, ndërtimin dhe funksionimin e impiantit për ujëra të zeza për kryeqytetin Shkup - Dokument unik me Studim fizibiliteti, si përmirësim i studimit të mëparshëm të fizibilitetit. Pas një procesi të gjatë konsultimesh, përgatitjes së dokumentacionit teknik dhe angazhimit aktiv të një ekipi të tërë profesionistësh në këtë fushë, sot më në fund mund të njoftojmë se jemi në fazën para fillimit të ndërtimit të stacionit të pastrimit për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup. “Me këtë projekt ne investojmë në Shkup, për bashkëqytetarët tanë, por krijojmë edhe një të ardhme më të mirë për gjeneratat e ardhshme”, tha Perinski.

Perinski falënderoi Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Evropiane të Investimeve dhe Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor për mbështetjen financiare për projektin, duke shtuar se ndërtimi i stacionit të pastrimit do të fillojë këtë vit.

Stacioni i pastrimit për trajtimin e ujërave të zeza - Shkup do të shtrihet në një sipërfaqe prej 13 hektarësh, në komunën e Gazi Babës, në bregun e majtë të lumit Vardar, në zonën e Trubarevës dhe do të ketë një kapacitet ekuivalent për 500.000 banorë.