KRYETARËT E KOMUNAVE TË SHKUPIT: ME FORCA TË BASHKUARA NË LUFTËN KUNDËR RRËMUJËS DHE NDOTJES 2.12.2020

Kryetari Petre Shilegov dhe kryetarët e 10 komunave të Shkupit sot nënshkruan memorandum bashkëpunimi për kryerjen e përbashkët të kompetencave në fushën e inspektimit. - Nga sot për rendin komunal dhe mjedisin jetësor në Shkup nuk ka më limite administrative dhe pengesa.

Inspektorët e mjedisit jetësor, inspektorët komunal dhe radarët komunal nga Qyteti i Shkupit së bashku me inspektorët dhe radarët nga të gjitha komunat e Shkupit, nga sot janë pjesë e një ekipi të përbashkët. Një ekip të këtillë të përbashkët e formojmë me qëllim mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës, për marrjen e masave për mbrojtjen dhe parandalimin e ndotjes së ujit, ajrit, tokës, mbrojtje nga zhurma dhe rrezatimi jonizues të përcaktuara në Ligjin për vetëqeverisje lokale. Qëllimi ynë i përbashkët është ngritja e shërbimit efikas dhe të pavarur inspektues, duke eliminuar plotësisht hapësirën për abuzime, me më shumë gjoba për ata që nuk respektojnë ligjin dhe më shumë edukim për qytetarët në drejtim parandalues. Prandaj, me këtë memorandum i vendosim bazat për veprim të përbashkët institucional në fushën e inspektimit, e zgjerojmë dhe mbindërtojmë ekipin dhe avancojmë gjithë procesin para se të formojmë një polici komunale të përbashkët e cila në qytetet me madhësisë e Shkupit është më se e nevojshme – tha Kryetari Shilegov në konferencën e sotme për media.

Me formimin e një sistemi efikas të kontrollit mbi respektimin e ligjeve, shtoi ai, në këtë pjesë paralajmërohet luftë e pakompromis me të gjithë faktorët që kërcënojnë mjedisin ku jetojmë, ambientin natyror, ajrin, ujin dhe tokën që duhet mbrojtur për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.

- Ky është një hap i madh përpara i vendosur nga komunat. Dua të falënderoj të gjithë kryetarët e komunave të Shkupit për pjekurinë e tyre politike për t'iu qasur një akti të këtillë. Planet tona për të ardhmen janë që të gjejmë një mënyrë për ta zgjeruar këtë bashkëpunim jo vetëm në nivel rajonal, por për të formuar ekipe të përbashkëta dhe me inspektoratet shtetërore për veprim në shumë fusha. Vullneti politik ekziston, resurset ekzistojnë, dhe ka dëshirë për të jetuar të gjithë në ambient të pastër jetësor dhe të shëndetshëm. Kjo i plotëson parakushtet themelore për veprim të përbashkët. Jam i bindur se për një vit do të mund të mblidhemi sërish me raporte konkrete dhe me shifra konkrete që do të tregojnë se kemi pasur të drejtë kur besuam se mund të veprojmë së bashku dhe mund të ketë sukses - theksoi Shilegov.

Në konferencën e sotme për media morën pjesë kryetarët e komunave të Shkupit: Gazi Baba, Butel, Çair, Shuto Orizare, Qendër, Karposh, Kisella Voda, Aerodrom, Gjorçe Petrov dhe Saraj.