CAKO U BË PJESË E EKIPIT TË QYTETIT TË SHKUPIT 3.2.2020

Aleksandar Matovski, i njohur si Cako, prej sot është pjesë e ekipit të Qytetit të Shkupit. Kryetari Shilegov në konferencën e sotme për media tha se Cako do të angazhohet në Seksionin për mbrojtjen shëndetësore dhe sociale të fëmijëve sepse afinitetet e tij janë të përqendruara në këtë fushë, dhe njohuritë e tij për grupet qëllimore do të ndihmojë në përmirësimin e shërbimeve sociale për qytetarët.

-Kolegu ynë i ri është  person me sindromën daun, me arsim të lartë, ambicioz dhe i gatshëm për sfida, i gatshëm të tregojë se njerëzit me çfarëdo pengese mund të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në proceset sociale dhe kujdesin për komunitetin. Jam veçanërisht krenar që si kryetar marr pjesë në rrëzimin e stereotipave dhe paragjykimeve që lidhen me këta njerëz sepse besoj se kapaciteti i secilit mund të përdoret dhe të kontribuojë në mënyrë të duhur në zhvillimin e shoqërisë. Shumë shpesh deri më tani, veçanërisht në dy vitet e kaluara, kemi ndërmarrë veprime për të dëshmuar se ky qytet kujdeset për të gjithë qytetarët e tij pa përjashtim dhe i vlerësojmë të gjithë në mënyrë të barabartë. Në këtë kontekst, vitin e kaluar, për herë të parë, Qyteti i Shkupit dha shpërblim në të holla për të parët e gjeneratës të shkollave të mesme të Qytetit në kategorinë  për arritje dhe rezultate në procesin e përfshirjes. Me këtë, u mundësojmë  njerëzve me aftësi të kufizuara mundësi të barabarta për gara dhe pranim të sukseseve. Gjithashtu siguruam bursa për nxënës me aftësi të kufizuara për herë të parë, si dhe asistent arsimor për t'i ndihmuar ata në mësime. Hapat e këtillë tregojnë se i njohim mundësitë te secili person, pavarësisht nëse ata përballen me ndonjë pengesë ose jo, ne ofrojmë mundësi të barabarta për të gjithë dhe investojmë në zhvillimin e tyre personal dhe profesional - tha sot Shilegov.

Ai rikujtoi se Qyteti i Shkupit gjatë dy viteve të fundit ka realizuar shumë aktivitete të reja për të përmirësuar cilësinë e jetës së personave me aftësi të kufizuara dhe ka qenë i përfshirë në mënyrë aktive në deinstitucionalizim duke mbështetur shtëpinë e vogël grupore dhe duke ofruar shërbime në kushte shtëpiake për kategoritë e rrezikuara  të qytetarëve.

- Angazhimi im dhe roli i Qytetit të Shkupit për zhvillimin dhe promovimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse është mbështetje për krijimin e kushteve të barabarta të jetesës për të gjithë bashkëqytetarët tanë. U bëj thirrje të gjithëve të japim shans pa diskriminim, të hapemi ndaj diversitetit dhe të lejojmë që vlera e secilit individ të trajtohet në mënyrë të barabartë dhe të pranohet. Rastësisht, dita e parë e punës së Cakos është edhe ditëlindja e tij. Cako, urime ditëlindjen dhe mirëseerdhe në Qytetin e Shkupit - uroi kryetari Shilegov.

Cako u falënderua për mundësinë e dhënë dhe tha se do të kontribuojë me përvojën e tij në fushën e punëve sociale të fituar në shumë vende evropiane. Ai iu falënderua  veçanërisht motrës së tij Marijës dhe familjes së tij nga të cilët e merr mbështetjen më të madhe.