QYTETI I SHKUPIT: PA KOMPROMISE KUR BËHET FJALË PËR SHËNDETIN E QYTETARËVE 4.2.2020

Kryetari Shilegov dhe kryeinspektori i Qytetit të Shkupit, Mirosllav Bogdanovski, sot zbardhën një skandal me përmbajtje të llahtarshme që duhet të alarmojë institucionet e tjera. Përmes videove dhe fotografive të publikuara shihet qartë trajtimi i  papërgjegjshëm me mbeturinat mjekësore ku qentë endacakë hanë mbetje njerëzore dhe gjak që derdhet në kanalizimin atmosferik dhe derdhet në lumin Vardar.

- Qytetarë të nderuar, para dy javëve Ju premtova që Qyteti i Shkupit dhe unë personalisht, pasi morëm përsipër "Drislla" më 20 janar, qëndrojnë prapa funksionimit të ligjshëm dhe parimor të kësaj deponie. Për mua, punonjësit e Qytetit të Shkupit dhe Inspektoratit të Qytetit nuk mund dhe nuk do të ketë ndonjë kompromis me mjedisin dhe rreziqet e mundshme për shëndetin e njeriut. 50 ditë më parë Qyteti i Shkupit gjeti materiale serioze që dëshmojnë për abuzime në menaxhimin e mbeturinave në territorin e qytetit dhe për këtë institucionet përkatëse janë njoftuar në kohë - tha Shilegov.

Nga videoja e publikuar, shihet mënyra se si janë trajtuar mbeturinat mjekësore në Shkup, dhe për fat të keq, Qyteti nuk ka të dhëna se sa kohë dhe sa shpesh janë trajtuar këto mbeturina në këtë mënyrë. Në vend të trajtimit termik dhe sterilizimit, ndodhi trajtim joadekuat i mbetjeve mjekësore, të cilat më pas kanë përfunduar në “Drislla” si mbeturina të zakonshme.

- Më shumë se 50 ditë, Qyteti i Shkupit ka pritur çfarëdo veprimi nga Prokuroria publike, por deri më tani nuk kemi asnjë informacion nëse hetimi ka filluar zyrtarisht. Përkundrazi, sipas informatave tona, shkelësi mbulohet me dokumentet nga një institucion tjetër kompetent. Kjo është arsyeja pse unë, ekipi im dhe kryeinspektori i Qytetit të Shkupit nuk do të lejojmë një sjellje të tillë të papërgjegjshme të institucioneve në vend. Është koha që të gjithë të qëndrojn përfundimisht në nivel të përgjegjësive të tyre dhe të marrin përgjegjësinë për mospunën e tyre.  Kërkoj që Prokuroria publike menjëherë të fillojë hetim për këtë skandal që paraqet kërcënim për shëndetin e njerëzve, dhe gjithashtu kërkoj që MMJPH të hetojë në mënyrë të plotë dhe në detaje punën e të gjitha subjekteve nën kompetencë të tyre, veçanërisht ato me leje të licencuara për përpunimin e mbeturinave mjekësore dhe të rrezikshme. Shëndeti i qytetarëve nuk mund të tolerojë kompromise. Këtë betejë ose do ta luftojmë së bashku, si qytetarë dhe si institucione, ose do ta humbasim të gjithë. Ndërsa unë nuk do lejoj që kjo betejë të humbet. Qyteti gjithmonë do të qëndrojë para dhe pas qytetarëve të tij - tha Shilegov.

Këtë rast e zbuloi kryeinspektori i Qytetit të Shkupit, Mirosllav Bogdanovski, i cili reagoi profesionalisht dhe me përgjegjësi sepse kishte marrë shumë ankesa nga qytetarët se diçka e dyshimtë po ndodhte në qarkun e firmës për një kohë të gjatë, po përhapet erë e pakëndshme dhe mbeturinat nuk trajtohen siç duhet. I shqetësuar se asnjë institucion tjetër nuk po ndërmerr asnjë veprim për të mbrojtur qytetarët që jetojnë në afërsi të firmës nga sëmundjet ngjitëse të mundshme, Bogdanovski u detyrua të futet brenda dhe t'i kap në vepër duke bërë trajtime joadekuate të mbeturinave të rrezikshme. Në konferencën për media, Inspektori Bogdanovski i paraqiti fotografitë dhe video pamjet që konfirmojnë në mënyrë të qartë tmerrin që paraqet bombë potenciale për epidemi.

- Makina për përpunimin e mbeturinave mjekësore nuk ishte funksionale gjatë kontrollës dhe mbeturinat nuk ishin trajtuar si duhet, gjë që hapi mundësinë e përhapjes së infeksioneve të rrezikshme për jetën e njerëzve dhe kafshëve. Mbetjet mjekësore janë përpunuar në makinë prerëse që shtyp vetëm mbeturinat, por nuk i shkatërron bakteret. Mbeturinat e këtilla mjekësore të papërpunuara janë transferuar në kamion që nuk është adekuat për transportimin e këtij lloji të mbeturinave infektive dhe të rrezikshme dhe më pas është transportuar në “Drislla” si mbeturina të zakonshme - sqaroi Bogdanovski.

Pas kësaj konference për media, asnjë institucion nuk ka asnjë argument që të justifikojë mos veprimin e tij për këtë çështje, të cilën inspektori e raportoi me materiale të plota dëshmuese në prokurorinë kompetente më shumë se 50 ditë më parë.