SHILEGOV: KORRIDORET E GJELBRA TË LEPENECIT DHE SERAVËS JANË TRASHËGIMË QË DO UA LËMË GJENERATAVE TË ARDHSHME 5.10.2020

Kryetari Petre Shilegov, sot mori pjesë në prezantimin publik të projektit Themelor për krijimin e një korridori të gjelbër përgjatë lumit Lepenec, që u mbajt në sallën e Këshillit të Qytetit të Shkupit.

Ky projekt është përgatitur i bazuar në Studimin për krijimin e korridoreve të gjelbëra përgjatë lumenjve Serava dhe Lepenec nga viti 2017. Lëndë e  këtij studimi ishte të hulumtonte kushtet dhe mundësitë për krijimin e një korridori të gjelbër përgjatë lumit Lepenec, nga qarkorja afër fshatit Orman deri në grykëderdhjen e lumit Vardar, si dhe përgjatë lumit Serava, nga burimi deri në grykëderdhjen e lumit Vardar.

- Në emër të Qytetit të Shkupit, do të doja të dërgoj edhe një herë një falënderim të madh për UNDP, GIM dhe ekipin e ekspertëve që përgatitën Projektin Themelor për krijimin e korridorit të gjelbër përgjatë lumit Lepenec. Sot po prezantojmë para publikut profesional projektin Themelor për një korridor të gjelbër të Lepenecit, ndërsa javën tjetër do të prezantojmë të njëjtin projekt për korridor të gjelbër të Seravës. Korridoret e gjelbëra përgjatë rrjedhave të Lepenecit dhe Seravës janë premtime nga programi im që po hyjnë në fazën e realizimit dhe sinqerisht shpresoj që në një të ardhme shumë të afërt qytetarët të kenë mundësinë të fillojnë të shijojnë atë për të cilën po flasim sot. Roli i lumit Lepenec është neglizhuar prej kohësh, si hapësirë ​​potenciale për lidhje me rrjetin e gjelbër të Qytetit, jo vetëm në kuptim të përmirësimit të cilësisë së mjedisit jetësor, por edhe si hapësirë ​​rekreative, veçanërisht për shkak të vendosmërisë së Qytetit të Shkupit për të zgjeruar territorin e tij për zhvillim në afërsi të lumit. Për të ruajtur autenticitetin e vlerave natyrore dhe për të promovuar biodiversitetin, është e nevojshme që korridori të marrë trajtim si park-lum, me funksione prioritare mbrojtëse dhe ekologjike. Në atë mënyrë, do të sigurohen kushte të veçanta për pushim dhe rekreacion të banorëve që jetojnë në vendbanimet përreth - tha sot kryetari Shilegov.

Përveç këtij funksioni të rëndësishëm, shtoi ai, korridoret kanë një rëndësi të veçantë për mirëmbajtjen e proceseve ekologjike, ato janë rrugët për lëvizjen e kafshëve, ato janë baza për ruajtjen e biodiversitetit dhe mirëmbajtjen e një ambienti të shëndetshëm jetësor.

- Unë nuk do të hy shumë në pjesën profesionale të këtij prezantimi, dëshiroj më shumë që ta shikojmë së bashku prezantimin dhe të dëgjoj mendimin tuaj për këtë temë. Siç mund ta shihni, në 3 vitet e fundit që kur kam marrë drejtimin e Qytetit, asnjë projekt serioz nuk është realizuar pa u konsultuar me publikun profesionist. Projekte të këtilla nuk duhet të punohen paushall dhe me nxitim. Dhe pikërisht për shkak të kohëzgjatjes së gjatë të disa aktiviteteve komplekse që i realizojmë, dua që së bashku ta kalojmë me kujdes çdo hap dhe secilën fazë para se të hyj në realizim. Askush nga ne nuk ka të drejtë të vendosë vetë në emër të një gjenerate të tërë, aq më pak në emër të gjeneratave të ardhshme. Korridoret e gjelbëra të Lepenecit dhe Seravës janë një trashëgimi që ne do t'ua lëmë gjeneratve të ardhshme dhe kjo është arsyeja pse ekziston nevoja për prezantime, diskutime dhe biseda që do të na çojnë drejt një zgjidhje optimale që do të përdoret maksimalisht në afatgjatë, në 20, 50, 100 vjet e më shumë - theksoi Shilegov.