Arsovska: Angazhohem për komuna më efikase, transparente dhe avancimin e decentralizimit fiskal 6.4.2022

Në eventin e sotëm me rastin e nënshkrimit të Memorandumit për Bashkëpunim ndërmjet Qytetit të Shkupit dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, për projektin për vendosjen e partneritetit të ri dhe mundësimit të buxhetimit më të mirë të komunave, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, tha se ky bashkëpunim është i rëndësishëm për forcimin e qëndrueshmërisë së qeverisjes vendore.

Ajo theksoi se është me rëndësi avancimi i procesit të decentralizimit fiskal, me qëllim që komunave t'u mundësohet pavarësia e nevojshme në veprim për sigurimin e shërbimeve më të mira për qytetarët.

- Si kryetare e BNJVL-së dhe kryetare e Qytetit të Shkupit, në vazhdimësi jam e angazhuar për krijimin e institucioneve më efikase dhe më efektive në nivel lokal, por duhet theksuar edhe nevoja e zhvillimit të vazhdueshëm të politikave që përcaktohen në nivel kombëtar, me qëllim ndërtimin e një bashkëpunimi më të mirë ndërmjet institucioneve të pushteti qendror dhe lokal, si dhe përforcimin e efektivitetit dhe transparencës në punën e komunave, tha Arsovska.

Kryetarja theksoi rëndësinë e zgjidhjes sistematike të sfidave që kanë të bëjnë me qeverisjen vendore, veçanërisht në drejtim të rritjes së decentralizimit fiskal dhe pavarësisë së komunave. Ky është një prioritet që ka një implikim vërtet të madh në funksionimin e komunave, si dhe për të mirën e përbashkët me qëllim realizimin e një sërë projektesh që kanë si synim përmirësimin e veprimtarisë në shërbim të bashkëqytetarëve tanë.

- Reformat pozitive për forcimin dhe rritjen e mjeteve për decentralizim mund të krijojnë bazë të mirë për krijimin e politikave edhe më të favorshme që ndikojnë në qeverisjen vendore, por edhe për të fuqizuar zërin e NJVL-së në krijimin e politikave kombëtare, theksoi Arsovska në fjalimin e saj.