SHILEGOV: PUNOJMË NË ZGJIDHJEN E PROBLEMIT ME PARKIMIN NË ÇAIR 7.9.2021

Kryetari i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov sot në konferencën për shtyp së bashku me zëvendëskryeministrat e Qeverisë Artan Grubi dhe Fatmir Bytyqi, ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu njoftuan zgjidhjen e problemit shumëvjeçar me parkimin në këtë komunë.

- Sot së bashku me kryetarin e komunës Ganiu dhe me zotin Behgjet Pacolli ju njoftojmë një lajm shumë të madh dhe të bukur jo vetëm për Komunën e Çairit, por edhe për të gjithë Shkupin. Për një kohë të gjatë në suazat e Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit punuam në zgjidhjen e problemit me parkimin në këtë komunë të Shkupit, problem i cili i mundonte për një kohë të gjatë bashkëqytetarët tanë nga Çairi. Përfundimisht për kënaqësinë e të gjithëve ne arritëm në një zgjidhje e cila nënkupton një qasje sistematike në zgjidhjen e kësaj sfide. Në Komunën e Çairit gjenden lagjet më të vjetra të Shkupit të cilat për nga infrastruktura akoma kanë ruajtur elementet e urbanizmit të vjetër osman kur nuk ekzistonin as automobilat, as problemi me parkimin e tyre – tha Shilegov.

Ai shtoi se, për fat të keq, për vite me radhë kryetarët e komunave të mëparshëm nuk arritën të gjejnë një zgjidhje sistemore për këtë problem, por as ai, as Visari nuk janë njerëz që i fusin problemet nën qilim, por përkundrazi, i zgjidhin sado që kjo të duket e pamundur.

- Partneriteti strategjik që Komuna e Çairit e vendosi me investuesin nënkupton zgjidhje, e cila në mënyrë optimale do të arrijë edhe më shumë hapësirë për parkimin e automobilave, por edhe më shumë hapësirë për mbarëvajtjen e trafikut të këmbësorëve, biçikletave dhe automobilave në këtë komunë. Kjo do të thotë se kaosi, rrëmuja dhe bllokimi i trafikut në këtë komunë do të jenë diçka që i përket së kaluarës. Si njësi të vetëqeverisjes lokale mbetemi të përkushtuar në zgjidhjen e problemeve më emergjente me të cilat ballafaqohen qytetarët tanë. Në këtë kuptim arritja e lëvizshmërisë urbane të qëndrueshme në territorin e të gjithë qytetit, në çdo komunë të Shkupit është imperativ nga i cili nuk kemi ndërmend të heqim dorë – theksoi Shilegov.

 Ai theksoi se Shkupi është qytet për të gjithë, dhe çdo banor i tij ka të drejta të njëjta të jetojë në një mjedis cilësor në lagjen ku ka ndërtuar shtëpinë e tij.