Për herë të parë u ndanë mirënjohje dhe shpërblime për mësuesit më të suksesshëm nga shkollat e mesme të Qytetit të Shkupit 7.11.2022

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, sot ndau mirënjohje dhe shpërblime për mësuesit më të suksesshëm nga shkollat e mesme të Qytetit të Shkupit.

- Me këtë manifestim, që organizohet për herë të parë në Qytetin e Shkupit, dëshirojmë të vlerësojmë punën që stafi i mësuesve investon në edukimin e të rinjve dhe të ardhmen e tyre. Ne jemi krenarë për çdo sukses dhe çdo arritje të nxënësve tanë, dhe për këto suksese ka kontribut të madh stafi i mësuesve, të cilët investojnë që të kemi gjenerata të reja cilësore, empatike dhe të sigurta në njohuritë e tyre - tha kryetarja Arsovska në ndarjen e sotme të mirënjohjeve dhe shpërblimeve.

Qyteti i Shkupit, në kuadër të objektivave të tij programore, dhe me qëllim afirmimin e arritjeve dhe sukseseve të mësuesve të shkollave të mesme të Qytetit të Shkupit, për herë të parë këtë vit promovon dhe vlerëson kuadrot mësimorë më të suksesshëm. Mësuesit shpërblehen për kontributin e tyre në avancimin e procesit mësimor, promovimin e shkollës dhe arritjen e rezultateve të larta në punën e tyre.

23 mësuesit më të suksesshëm nga secila prej shkollave të mesme të Qytetit të Shkupit u zgjodhën nga këshillat e mësuesve, në përputhje me dispozitat e Ligjit për mësuesit.