PO RIKONSTRUKTOHET RRUGA DERI NË BOJANË NË KOMUNËN E SARAJIT 7.9.2021

Kryetari i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov, kryeministri Zoran Zaev, kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Mehmeti dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, sot inspektuan punët ndërtimore për rikonstruksionin e rrugës deri në f. Bojanë në Komunën e Sarajit, e cila është në ndërtim e sipër.

- Fshati Bojanë është vendbanimi i fundit në qytetin e Shkupit drejt komunës kufitare të Zhelinës dhe për dekada me radhë ishte harruar dhe lënë pas dore nga pushteti lokal. Kjo tani është dëshmi se si nëpërmjet bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Sarajit dhe Qytetit të Shkupit, të ndihmuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut arritëm të zgjidhim me sukses këtë problem dhjetëvjeçar të banorëve të Bojanës, të cilët tani lidhen me infrastrukturën më të mirë – tha sot kryetari Shilegov.

Rikonstruksioni i kësaj rruge kryhet në një gjatësi prej 3 kilometrash. Përveç rikonstruksionit po rinovohen edhe rrjeti i ujësjellësit, rrjeti atmosferik dhe ai i kanalizimeve me gjatësi 3 kilometra. Po rinovohen edhe bordurat nga të dy anët e rrugës, po rinovohet gjelbërimi, dhe po ndërtohet korsi e re për këmbësorë me pllaka begatoni me gjerësi 1,5 metra dhe gjatësi 3 kilometra. Bëhet fjalë për një investim prej 101,5 milionë denarë me TVSH të përfshirë nga Buxheti i Qytetit të Shkupit.

Për kryeministrin Zoran Zaev, aktivitete të tilla ndërtimore tregojnë kujdesin e pushtetit lokal dhe qendror ndaj nevojave të qytetarëve, sepse cilësia e jetës duhet të jetë e njëjtë edhe në fshatra edhe në qytete.

- Rikonstruksioni i rrugës deri në fshatin Bojanë është vetëm një nga dhjetëra projektet investuese të autoriteteve vendore në vendin tonë, të cilat kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë nëpërmjet programeve të ndryshme. Me 70 milionë euro ndihmë të drejtpërdrejtë për komunat planifikojmë që në periudhën e ardhshme të vazhdojmë me rikonstruksionin e rreth 450 kilometrave rrugë dhe rrugica lokale në 80 komunat në vendin tonë dhe në Qytetin e Shkupit. Me thirrjen e parë përfshimë 17 komuna dhe rikonstruktuam 27 rrugë me gjatësi të përgjithshme 23,62 km, projekt me vlerë rreth 4 milionë euro. U realizua edhe thirrja e dytë, filloi rikonstruksioni i 35 rrugëve në 21 komuna, me gjatësi të përgjithshme 35,5 km, në vlerë prej 7 milionë euro. Në vijim është përgatitja e thirrjes së tretë e cila do të përfshijë rinovimin e 60 km rrugë lokale. Çdo komune për këtë qëllim i janë vënë në dispozicion nga 500.000 euro deri në 2 milionë euro, mjete financiare të pakthyeshme. Në mënyrë plotësuese, këtu është programi TAV me të cilin po realizohen 94 projekte infrastrukturore, dhe po realizohen edhe programet për zhvillim turistik dhe programi për ujësjellës dhe kanalizime – sqaroi kryeministri Zaev.