Arsovska: Kanalizim i ri atmosferik në rrugën “Korabi” - mbi 16 milionë denarë për përmirësimin e infrastrukturës në komunën e Karposhit 8.7.2022

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, së bashku me drejtorin e NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, Zlatko Perinski, inspektuan kanalizimin atmosferik të rikonstruktuar përgjatë rrugës “Korabi” në komunën e Karposhit.

- Vazhdojmë me realizimin e projekteve për përmirësimin dhe avancimin e infrastrukturës në komunën e Karposhit. Për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm infrastrukturor janë investuar mbi 16 milionë denarë. Sistemi i ri i kanalizimit atmosferik në rrugën “Korabi” zgjidh problemin e shumëvjeçar me përmbytjet në këtë lokacion në kushtet e reshjeve të dendura - theksoi Arsovska.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve ndërtimore në rrugën “Korabi” në komunën e Karposhit është ndërtuar kanalizim i ri atmosferik me gjatësi 367 metra. Me realizimin e kolektorit atmosferik me diametër 800 mm përgjatë rrugës “Korabi”, fillon pranimi i ujërave nga kanali i hapur i cili shtrihet përgjatë pjesës jugore anës rrugës Kozle 1, si dhe ujërave nga sipërfaqet e rrugëve, çative dhe oborreve të objekteve ekzistuese dhe të planifikuara me PUD-in përgjatë rrugës “Korabi” dhe atyre që gravitojnë drejt saj. Me realizimin e kanalizimit të ri atmosferik me diametër 1000 mm përgjatë pjesës lindore të rrugës “Juri Gagarin”, të lidhur me kolektorin atmosferik ekzistues me diametër 1000 mm përgjatë rrugës shërbyese “Juri Gagarin”, me hapjen e pusetës së re lidhëse, fillon pranimi i ujërave tashmë të kanalizuara nga kanalizimi atmosferik me diametër prej 300 mm nga pjesa lindore e rrugës “Juri Gagarin”.

- Vazhdojmë me investimet e planifikuara të NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, vetëm në komunën e Karposhit për rrugën “Sofiska” dhe rrugën “Korabi”, në periudhën e kaluar u realizuan investime me vlerë mbi 24 milionë denarë, të cilat përfunduan në periudhën e planifikuar. Vazhdojmë të punojmë me përkushtim në ndërtimin e rrjetit të ri dhe përmirësimin e rrjetit ekzistues të ujësjellësit dhe kanalizimit në Shkup, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët - thotë Perinski.