Arsovska: Qyteti do të zbukurohet për festa, u kam bërë thirrje të gjitha kompanive 9.12.2021

“Unë i kam bërë thirrje jo vetëm një kompanie, por të gjitha kompanive, të gjitha ndërmarrjeve meqë tani kemi krizë jo vetëm energjitike, por edhe ekonomike, shëndetësore, që të tregojnë përgjegjësinë e tyre shoqërore të korporatës, dhe të ndihmojnë të gjithë ata që kanë gjeneruar ndonjë profit sivjet edhe pse ishte vit i vështirë, dhe të tregojnë përgjegjësinë e tyre, dhe thjesht ta ndihmojnë qytetin që të ketë një atmosferë vërtet të bukur dhe festive”, tha kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, në emisionin “Vetëm intervistë” (Samo intervju) në televizionin Kanal 5.

Arsovska shtoi se qyteti do të zbukurohet dhe kjo nuk do të ketë asnjë implikim financiar për qytetin e Shkupit.

“Qyteti do të zbukurohet por nuk do të jetë si vitet e tjera, sepse tani në këtë rast nuk është vetëm për shkak të krizës energjetike, por edhe krizës ekonomike dhe zbukurimi do të jetë në përmasa më të vogla, por megjithatë i tërë sheshi dhe pjesa qendrore e qytetit do të zbukurohen ”, theksoi Arsovska.

Ajo tha se një pjesë të mjeteve të Qytetit do t'i shfrytëzojë për të ndihmuar qytetarët e kategorive të rrezikuara sociale, duke shtuar se Qyteti do të punojë në mënyrë transparente dhe pa korrupsion.

“Të tregojmë një mënyrë tjetër të punës. Pra, të jetë çdo gjë transparente, dhe e hapur. Tolerancë ndaj korrupsionit zero, korrupsioni nuk do të tolerohet askund në asnjë eshallon, tek asnjë person që është i punësuar në administratën e qytetit”, tha Arsovska.