SHILEGOV: KONTEJNERË TË RINJ GJYSMË NËNTOKËSORË TESTOHEN NË KARPOSH 3 10.6.2020

Qyteti i Shkupit po fillon pilot projekt për testimin e një lloji të ri të kontejnerëve për mbeturinat e amvisërive, gjegjësisht kontejnerë gjysmë nëntokësor.

 

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, kryetari i Komunës së Karposhit, Stefan Bogoev dhe drejtori i Ndërmarrjes publike “Higjiena Komunale” -Shkup, Abdulasamed Shabani, mbajtën sot konferencë për media në rrugën "Nikolla Rusinski" në Karposh 3, ku janë vendosur kontejnerë gjysmë nëntokësorë.

- Bëhet fjalë për kontejnerë gjysmë nëntokësorë me kapacitet prej 3 deri në 5 metra kub nga prodhuesi i njohur finlandez Molok, i cili përmes partnerëve të tij lokal ka filluar iniciativë për testimin e këtyre kontejnerëve në Shkup. Për këtë qëllim në rr. Nikolla Rusinski, prapa QT “Leptokaria” në Karposh, janë vendosur 6 kontejnerë të tillë, 2 prej të cilëve janë me kapacitet prej 3 metra kub, dhe 4 me kapacitet prej 5 metër kub. Këto kontejnerë kanë përparësi të caktuara ndaj llojeve të tjera nga të cilët mund të dallohen për shkak të kapacitetit më të madh, pjesës së vogël mbitokësore, shkarkimit më të shpejtë, mundësinë për mbylljen dhe jetë më të gjatë të përdorimit - tha Shilegov.

Ai shtoi se ky pilot projekt gjithashtu ofron mundësi për përzgjedhjen e mbeturinave dhe qytetarët përveç selektimit të mbeturinave komunale do të mund të selektojnë edhe mbeturinat elektronike dhe ato të rënda.

- Në periudhën testuese disa mujore në kuadër të këtij pilot projekti do t'i shohim të gjitha përparësitë dhe sfidat e përdorimit të këtyre kontejnerëve të mbeturinave të amvisërive, e pastaj do të bëhen analiza të kujdesshme mbi përfitimin e investimit në kontejnerë të këtillë, të paktën për ato pjesë të qytetit në të cilat ekzistojnë kushte hapësinore. Qytetarët tashmë janë duke i ndjerë ndryshimet me konceptin e ri të trajtimit të mbeturinave komunale në Qytetin e Shkupit. Ndryshimet janë të dukshme dhe të matshme. Rrugët e qytetit janë më të pastra, shumë prej kontejnerëve të mbeturinave komunale janë zëvendësuar dhe zbrazja e tyre tani është më e shpejtë dhe më efikase, po vijojnë fushatat aktive për shërbimet e grumbullimit të mbeturinave të rënda dhe largimi falas i stërnishtave dhe mbeturinave pas korrjes së prodhimeve bujqësore. Kjo do të thotë që ne po lëvizim në drejtimin e duhur dhe nëse të gjithë kujdesemi, në një kohë relativisht të shkurtër do të kemi një qytet disa herë më të pastër nga sa jemi mësuar ta shohim deri vonë - tha Shilegov

Sot, Shilegovi edhe njëherë u bëri thirrje qytetarëve që t'i hedhin siç duhet mbeturinat nga amvisëritë duke i përdorur enët për mbeturina ekskluzivisht në përputhje me qëllimin e tyre dhe të hedhin mbeturinat në kohën e caktuar, pra nga ora 19:00 deri në ora 22:00, në qese plastike të mbyllura, duke mos lënë ushqime dhe veshje jashtë kontejnerëve dhe të ngjashme.

- Epidemia e koronavirusit na kujtoi të gjithëve, si qytetarë, që duhet të kujdesemi për higjienën personale, higjienën në shtëpitë tona, por edhe jashtë shtëpive tona në të njëjtën mënyrë, me qëllim që te gjithë së bashku të mund t'i shfrytëzojmë përfitimet e të jetuarit në mjedis jetësor ekologjikisht të pastër - tha Shilegov.