Takimi i parë i kryetares së Qytetit të Shkupit, Arsovska me gazetarët 11.11.2021

Vendosja e transportit publik falas në Shkup, zbukurimi i qytetit për Vitin e Ri, Plani i Përgjithshëm Urbanistik i ri, anijet në shtratin e lumit Vardar, mbajtja e seancave të Këshillit të Qytetit të Shkupit dhe puna e ndërmarrjeve publike ishin vetëm një pjesë e temave për të cilat u bisedua në takimin e sotëm të parë të kryetares së Qytetit të Shkupit Danela Arsovska  me përfaqësuesit e mediumeve.

Arsovska theksoi se në mandatin e saj ka si qëllim të tregojë se punët në Qytetin e Shkupit mund të menaxhohen më ndryshe, pa përzierjen e politikës, por me një qasje më njerëzore me njëri tjetrin, si ndërmjet të punësuarve në administratë ashtu edhe me qytetarët.

-  Mua qytetarët e Shkupit më dhanë mandat të realizoj atë që është ofruar në programin tim dhe këtë planifikoj ta bëj në katër e vitet e ardhshme si kryetare e Qytetit të Shkupit.  Do të punoj me përkushtim në realizimin e programit tim dhe vizionit për Shkupin modern. Pikërisht për këtë dhashë dorëheqje nga të gjitha funksionet e mëparshme – u përgjigj Arsovska pyetjes gazetareske nëse ka dhënë dorëheqje nga funksioni konsull i Republikës së Hungarisë në vendin tonë.

Ajo tha se tashmë ka filluar realizimi i projekteve të programit të saj të cilat janë parashikuar të realizohen në 82 ditët e para, siç është aksioni për pastrimin e deponive të paligjshme. Nga kryetarët e dhjetë komunave të Shkupit, siç sqaroi ajo, do të kërkohen edhe lokacione shtesë që duhet të pastrohen për të rregulluar hapësirën dhe për të zvogëluar ndotjen.

Kryetarja shtoi se tashmë po punohet edhe me revizionin e projekteve ekzistuese, dhe po shqyrtohet edhe puna e ndërmarrjeve publike të qytetit dhe institucioneve kulturore për të përcaktuar gjendjen faktike mbi të cilën do të bazohen të gjitha hapat e mëtejshëm.