Qyteti i Shkupit depozitoi kallëzim penal për Usje 12.1.2023

Me iniciativë të Qytetit të Shkupit në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, muajin e kaluar, Qyteti në mënyrë të pavarur dhe në aksion të përbashkët me Ministrinë kreu matjet e shkarkimit të gazrave nga funksionimi i objektit të industrisë së rëndë në komunën e Kisela Vodës.

Bëhet fjalë për fabrikën e çimentos “Titan Usje”, nga ku gjatë matjeve të ajrit ambiental në fabrikë janë konstatuar përqendrime të mëdha të grimcave të dëmshme, të cilat kontribuojnë ndjeshëm në përkeqësimin e cilësisë së ajrit ambiental në të gjithë territorin e qytetit të Shkupit.

Matjet janë kryer në dy raste, më 26 dhe 27 dhjetor të vitit të kaluar dhe më 3 dhe 4 janar të këtij viti. Në të dyja rastet u matën tejkalime shumë të mëdha të shkarkimit të lejuar të gazrave dhe grimcave që ndotin dhe dëmtojnë cilësinë e ajrit ambiental.

Konkretisht, në muajin dhjetor të vitit të kaluar janë matur tri herë më shumë grimca PM10 që janë lëshuar në atmosferë dhe rezultate të ngjashme janë marrë edhe gjatë matjes që është bërë në fillim të këtij muaji.

Bëhet fjalë për shkarkimin e një sasie tre herë më të madhe nga ajo e lejuar, për metër kub çdo orë.

Inspektorët e Qytetit të Shkupit në aksion të përbashkët me inspektoratin shtetëror pranë Ministrisë së Mjedisit, inspektuan procesin e punës në fabrikën e çimentos, ku u konstatuan shkelje të rënda në kundërshtim me licencën e integruar mjedisore A të lëshuar nga Ministria e Mjedisit.

Përkatësisht, gjatë matjes së fundit është konstatuar tejkalim në mënyrë drastike i shkarkimit të grimcave të dëmshme, gjë që dëmton cilësinë e ajrit ambiental.

Gjithashtu, për ndotjen nga kaldaja për ngrohjen e fabrikës së çimentos, është konstatuar se janë tejkaluar vlerat kufi të oksideve të azotit NOx, ku rezultatet e matjeve tregojnë më shumë se dyfishin e vlerave të lejuara 350 miligramë, përkatësisht 711.9 miligramë për metër kub.

Për këtë arsye, si kryetare e Qytetit të Shkupit, mora iniciativë për inicimin e procedurës penale kundër fabrikës së çimentos “Titan Usje”, në përputhje me nenin 218, nenin 230 dhe nenin 234 të Kodit Penal, për mosrespektimin e dispozitave për mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit, duke ndotur në përmasa të mëdha ajrin, tokën, ujin dhe duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e njerëzve.

Është e papranueshme që qytetarët e qytetit të Shkupit të jenë viktima të fitimeve të disave që na helmojnë me dekada, duke u përpjekur me “donacione” për komunat, sjellje korruptive dhe ndikime të ndryshme të amnistohen nga përgjegjësia për ndotjen e mjedisit nga e cila vuajnë mijëra qytetarë nga sëmundje të shumta.

Si kryetare e Qytetit, vitin e kaluar kemi punuar me ekipin për një zgjidhje sistematike për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes dhe atë me masa afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata.

Masat afatshkurtra ose të ashtuquajtura “ndërhyrje” nga Qyteti i Shkupit ndërmerren vetëm me udhëzim të Ministrisë së Mjedisit. Pas marrjes së njoftimit për gjendje alarmante nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, qyteti vepron në përputhje me masat e rekomanduara për mbrojtjen e ajrit ambiental dhe në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Ajrit Ambiental. Vendimi i Qytetit të Shkupit për marrjen e masave afatshkurtra vjen pas njoftimit të marrë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.



Me iniciativën time dhe së bashku me sektorët në Qytetin e Shkupit jemi duke punuar në mënyrë aktive në zbatimin e disa masave të vazhdueshme për uljen e ndotjes në qytet. Në kontinuitet po pastrohen deponitë e paligjshme, rriten subvencionet për transport alternativ, vendoset rregull në transportin publik në të cilin për të ulur ndotjen nuk do të mund të marrin pjesë automjetet që nuk kanë standarde minimale EURO 4.
Në përputhje me Ligjin për Cilësinë e Ajrit Ambiental, Qyteti i Shkupit zbaton masa dhe rekomandime për uljen e ndotjes së ajrit dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve:


- Përforcimi i mbikëqyrjes inspektuese mbi instalimet nën kompetencat e Qytetit të Shkupit dhe mbi personat juridikë me leje të integruara mjedisore B.
- Kontroll intensiv i kantiereve të ndërtimit, pra i automjeteve që dalin nga kantieret për kontrollin e pluhurit.
- Forcimi i kontrollit të poseduesve të lejeve për dërgimin e mallit nëpërmjet Inspektoratit të Qytetit të Shkupit. Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që të zbatojë kontrolle të përforcuara për personat juridikë që posedojnë leje për dërgimin e mallrave të lëshuar nga Qyteti i Shkupit.
- U rekomandohet kryetarëve të komunave në qytetin e Shkupit që të intensifikojnë inspektimet e subjekteve që menaxhojnë me mbetjet e gomave dhe vajrave.
- Ministria e Mjedisit, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe komunat të kryejnë kontrolle të përforcuara mbi instalimet që janë nën kompetencat e tyre.
- Ministria e Punëve të Brendshme të forcojë kontrollet për respektimin e nadalimit të qarkullimit të automjeteve të rënda, destinacioni përfundimtar i të cilave nuk është Qyteti i Shkupit dhe të cilat do të përdorin unazën e Shkupit, në përputhje me sinjalistikën rrugore të vendosur.
- Ministria e Punëve të Brendshme të kryejë kontrolle të shpeshta të gazrave shkarkuese të automjeteve që marrin pjesë në komunikacion.
- Të mos përdoren për energji ose ngrohje mbetje, vaj makinerie të djegur, mbetje druri të llakuar dhe të lyer, stiropor, ambalazhe PET, goma dhe çfarëdolloj materiali sintetik.
- Të përdoren dru të thatë dhe të pastër pa papastërti dheu dhe mbetje, shporetet me dru të përdoren dhe mirëmbahen sipas udhëzimeve të prodhuesit, të pastrohen rregullisht oxhaqet.

Masat dhe rekomandimet për zvogëlimin e ndotjes së ajrit janë në përputhje me Planin e veprimit afatshkurtër për mbrojtjen e ajrit ambiental në qytetin e Shkupit.

U bëjmë thirrje institucioneve përkatëse kompetencë parësore e të cilave është mjedisi, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit që të intensifikojnë aktivitetet e tyre në drejtim të mundësimit të mjedisit të shëndetshëm dhe cilësisë më të lartë të ajrit ambiental. Qyteti i Shkupit ka filluar të zbatojë një sërë masash sistematike dhe specifike për ballafaqimin me ajrin e ndotur, dhe ky është një nga prioritetet më të mëdha që do të punojë administrata e qytetit. Këto masa plotësuese do të kontribuojnë në sigurimin e një cilësie më të lartë të jetës për qytetarët dhe uljen e nivelit të ajrit të ndotur.

Qyteti i Shkupit vitin e kaluar ka shqiptuar gjoba nga 12 deri në 88 mijë euro për persona juridikë dhe gjoba përkatëse ndaj personave fizikë të cilët janë kapur në flagrancë duke deponuar mbetje në mënyrë jo të rregullt dhe duke shkelur ligjin.

Gjithashtu, dua të informoj publikun dhe të konstatoj se fatkeqësisht askush deri më tani nuk është marrë seriozisht me këtë situatë. Këtu dua të theksoj nevojën e vendosjes dhe përditësimit të rregullt të regjistrit të ndotësve.

Qyteti i Shkupit përveç masave afatshkurtra, po punon edhe në planin për zbatimin e masave afatmesme dhe afatgjata për mbrojtjen e ajrit ambiental.

Si kryetare e Qytetit të Shkupit, me ekipin vitin e kaluar kemi punuar në zgjidhjen sistemore për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, ku me analiza dhe aktivitete në terren janë konstatuar mbi 1000 subjekte për të cilat është e domosdoshme që t'u nënshtrohen lejeve mjedisore të integruara, me të cilat burimet kryesore të ndotjes nga industria do të kufizohen në mundësinë e tyre për të vazhduar me të njëjtën sjellje. Me zbatimin e këtyre masave afatmesme dhe afatgjata, të cilat do të zbatohen në vazhdimësi, situata do të përmirësohet, në vend që të veprohet me masa afatshkurtra që janë ndërhyrëse dhe aktivizohen vetëm atëherë kur problemi është më i theksuar.

Konkretisht, që nga viti 2006, kur me Ligjin për Mjedisin filloi procesi për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, i cili parashikon vendosjen e regjistrit të ndotësve dhe kontrollin e lejeve të integruara mjedisore A dhe B të lëshuara, deri në këtë moment në qytetin e Shkupit janë regjistruar vetëm 30 persona juridikë, ndonëse sipas analizave që kemi bërë vitin e kaluar, janë të paktën 1000 persona të tillë juridikë që duhet të ishin regjistruar dhe kontrolluar siç duhet.

Duke u nisur nga kjo, njoftoj dhe njëkohësisht u bëj thirrje të gjitha kompanive që kanë detyrim sipas këtij ligji, që në 30 ditët e ardhshme të depozitojnë elaborate për menaxhimin e ndotjes dhe të aplikojnë për leje mjedisore të integruar B. Qyteti do t'i shfrytëzojë të gjitha mundësitë ligjore dhe nuk do të amnistojë askënd që do të konstatohet se kryen aktivitete pa lejen përkatëse mjedisore duke prishur në këtë mënyrë cilësinë e mjedisit dhe duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve të Shkupit.

Për këtë vit, në përputhje me masat e paralajmëruara, paralajmërojmë përforcimin e kontrolleve dhe rritje të efikasitetit të Inspektoratit të qytetit.

Është koha e fundit, që pas tre dekadash të vendoset rregull dhe të punojmë me përkushtim që të gjithë në Shkup të kenë nivel më të lartë të cilësisë së jetës.