Shilegov i ka lënë shfrytëzuesit e shtëpizave në “Kej” t'i shfrytëzojnë në mënyrë të kundërligjshme për 4 vjet, pa asnjë kontratë 13.4.2022

Për informimin e plotë të publikut në lidhje me shkrimet e medieve për gjendjen aktuale  me shfrytëzuesit e shtëpizave në “Kej 13 Nëntori”, duam të sqarojmë se personat janë pa kontrata aktive me Qytetin e Shkupit nga data 01.02.2018.

Kryetari i mëparshëm i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, me vetëdije i ka lënë shfrytëzuesit e shtëpizave për katër vjet t'i shfrytëzojnë në mënyrë të kundërligjshme pa ekzistimin e bazës ligjore për shfrytëzimin e tyre.

Kjo situatë nuk është aspak në interes të shfrytëzuesve të këtyre objekteve të përkohshme dhe për këtë arsye Qyteti i Shkupit në një procedurë transparente dhe ligjore me shpalljen e Thirrjes publike do ta zgjidhë situatën.

Këta përfitues aplikuan për herë të parë në Thirrjen publike në vitin 2011 me një kontratë njëvjeçare, e cila zgjatej me aneks çdo vit. Kjo praktikë u ndërpre më 31.01.2018 dhe këta qytetarë u lanë tërësisht në mëshirë të fatit. Ata u lanë me vetëdije pa leje dhe pa kontratë për të shfrytëzuar shtëpizat, duke i lënë mundësi udhëheqjes së mëparshme që t'i mënjanojnë ato kur të dëshironte.

Aq më tepër situata aktuale është në kundërshtim me dispozitat ligjore, ajo kufizon konkurrencën dhe dëmton buxhetin e Qytetit dhe të qytetarëve.

Shfrytëzuesit tashmë janë njoftuar se në një afat prej 15 ditësh duhet t'i lirojnë shtëpizat nga mjetet që janë në pronësi të tyre dhe objektet t'ia dorëzojnë Qytetit të Shkupit në gjendjen në të cilën i kanë pranuar sipas Procesverbalit, sepse nuk ekziston bazë ligjore për përdorimin e tyre të mëtejshëm. Në periudhën e ardhshme do të shpallet Thirrje publike ku këta persona dhe të gjithë të interesuarit e tjerë të kenë mundësi të aplikojnë për shfrytëzimin e hapësirave publike, përkatësisht shfrytëzimin e shtëpizave.

U bëjmë apel të gjitha medieve dhe qytetarëve që në shkrimet e tyre të mos përhapin dezinformata, të gjitha procedurat që zbaton Qyteti i Shkupit duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe në një procedurë plotësisht transparente për të krijuar politika pozitive për të mirën e qytetarëve, por edhe në drejtim të mbrojtjes së shfrytëzuesve të shtëpizave, të cilët do të kenë mundësi të rregullojnë ligjërisht statusin e tyre dhe të drejtën e përdorimit.