SHILEGOV: KORRIDORI I GJELBËR DO TA RUAJË AUTENTICITETIN E VLERAVE NATYRORE NË BREGUN E LUMIT SERAVA 13.10.2020

Sot, Kryetari Petre Shilegov mori pjesë në prezantimin publik të Projektit Themelor për krijimin e korridorit të gjelbër përgjatë rrjedhës së lumit Serava, i cili u mbajt në sallën e Këshillit të Qytetit të Shkupit. Ky projekt është përpiluar në bazë të Studimit për krijimin e korridoreve të gjelbra përgjatë lumenjve Serava dhe Lepenec nga viti 2017. Lënda e këtij studimi ishte të hulumtonte kushtet dhe mundësitë për krijimin e një korridori të gjelbër përgjatë lumit Lepenec, nga qarkorja tek fshati Orman deri në grykëderdhjen e lumit Vardar, si dhe përgjatë rrjedhës së lumit Serava, nga burimi deri te grykëderdhja e lumit Vardar.

- Dëshiroj të shpreh falënderim të madh për UNDP, GIM dhe ekipin e ekspertëve që përgatitën Projektin Themelor për krijimin e korridorit të gjelbër përgjatë rrjedhës së lumit Serava. Javën e kaluar prezantuam projektin Themelor për korridorin e gjelbër të Lepenecit, sot po prezantojmë projektin për korridor të gjelbër të Seravës dhe me këtë duam të përfundojmë këtë fazë të realizimit të korridoreve të gjelbëra nga ky studim. Këto korridore të gjelbra ishin pjesë e programit tim që po hyjnë në fazën e realizimit, dhe jam i bindur se në një të ardhme shumë të afërt qytetarët do të kenë mundësinë të fillojnë të shijojnë atë që do të prezantohet sot - tha sot Kryetari Petre Shilegov.

Ai shpjegoi se Lumi Serava, si lumë i rrëmbyeshëm, i cili në të kaluarën shkaktoi probleme me derdhjen, ka qenë prej kohësh i rregulluar, pjesërisht me kanalet, dhe pjesërisht nën tokë.

- Roli i tij në transferimin e masave të ajrit të pastër nga mali “Skopska Crna Gora”, ku buron, është i pakontestueshëm. Fatkeqësisht të dy lumenjtë përdoren si marrës të ujërave të ndotura dhe ujërave fekale nga amvisëritë dhe objektet e prodhimit. Vendosja e korridoreve të gjelbra të këtyre dy lumenjve do të thotë fundi i këtij shkatërrimi të bukurive natyrore me të cilat Serava dhe Lepenec mund ta zbukurojnë qytetin tonë. Në disa pjesë, përgjatë lumenjve hidhen mbeturinat, mbeturinat komunale dhe ndërtimore, gjë që zhvlerëson ndjeshëm vlerat e lumenjve dhe brigjeve të tyre. Prandaj, qëllimi i këtij projekti është të ruajë autenticitetin e vlerave natyrore në bregun e Seravës në mënyrë që do të sigurojë kushte të veçanta për pushim dhe rekreacion të banorëve të vendbanimeve nëpër të cilat kalon ky lumë. Unë nuk do të hyja më shumë në pjesën profesionale të këtij prezantimi, dëshiroj që më shumë ta shikojmë së bashku prezantimin në mënyrë që ju të parashtroni pyetjet tuaja dhe të na dërgoni komentet tuaja profesionale - tha Shilegov.

Projekte të këtilla, theksoi ai, nuk duhet të realizohen në mënyrë paushall dhe të shpejtë sepse korridoret e gjelbra të Lepenecit dhe Seravës janë trashëgimi që ne do t'ua lëmë gjeneratave të ardhshme.