Arsovska: Mekanizmat dhe mjetet për ballafaqimin me krizën energjetike i ka Qeveria, vetëqeverisja lokale nuk mund të sjellë politika kombëtare 14.1.2022

 

- Mekanizmat dhe mjetet për ballafaqimin me krizën energjetike i ka Qeveria. Duhet të ndërmarrë gjithçka që është e domosdoshme që qytetarët të jenë të mbrojtur dhe ta kalojnë dimrin ashtu siç e meritojnë. Duhet të merren masa kombëtare për shpëtim nga kjo krizë dhe ato duhet t’i marrë pushteti qendror. Vetëqeverisja lokale nuk mund të sjellë masa dhe politika kombëtare. Qëndrimi ynë është konsisitent, nuk kemi kompetenca dhe nuk kemi mundësi, thotë kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska në emisionin “Klik Plus” në TV 21 ku ishte e ftuar.

Sipas Arsovskës, përgjegjësia është e Qeverisë e cila nuk reagoi në kohë dhe nuk ka sjellë asnjë lloj strategjie për ballafaqimin me krizën energjetike, ndërsa janë qytetarët ata që humbasin.

- Kjo është përgjegjësia që duhet të mbajë Qeveria sepse nuk e zgjidhi këtë situatë kur kishte mundësi dhe për atë se nuk ka menduar cilat do të jenë pasojat që mund të vijnë nga rritja e çmimeve të energjisë në bursat botërore. Këtë shtetet e tjera nga e gjithë Evropa por edhe nga bota e bënë nga 1 deri më 15 shtator, ato tashmë kishin strategji të plota dhe këtë një pjesë e tyre e sollën deri në mesin e vitit 2022, e një muaj më vonë në tetor kishin miratuar strategji për deri në fund të vitit 2022. Kjo nuk është lojë dhe dihet cili është fajtori dhe cili ka fuqinë dhe financat nga çdo lloj aspekti për të zgjidhur këtë gjendje. Nëse bëhen lojëra politike të vetmit që humbasin në këtë rast janë qytetarët. Përgjegjësia nuk është diçka që duhet t’ia bartni dikujt. Politika nuk duhet të ketë vendin e saj këtu.  

Arsovska shtoi se interesi i qytetarëve duhet të jetë interes edhe i pushtetit qendror edhe i vetëqeverisjes lokale.

- Nëse gjendja është kështu siç është, përkatësisht në vend që pushteti qendror të shikojë të punojë me të gjithë kryetarët e komunave, tani i ndan në të vetët dhe të tjerëve, ne nuk kemi mënyrë se si të sigurojmë punë cilësore, thotë ajo.