NJOFTIM PUBLIK 14.12.2023

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, është pjesëmarrëse e eventit me rastin e Konferencës së 10-të të Konventës së Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit, nikoqir i së cilës janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe që kryesohet nga Koordinatorja e Departamentit të Shtetit për Anti-Korrupsion Global, Riçard Nefej.

Me ftesë të organizatorëve, si lidere në nivel lokal në ndërtimin e besimit dhe parandalimin e korrupsionit, Arsovska merr pjesë së bashku me drejtorin ekzekutiv të Rrjetit të Qyteteve të Forta, Erik Rosand dhe drejtoreshën e Programit për Sundimin e ligjit të Qendrës Karter nga SHBA, Laura Njuman.

Kryetarët e komunave dhe pushteti vendor luajnë rol kyç në parandalimin e korrupsionit dhe promovimin e qeverisjes së mirë. Ato janë të pozicionuara në mënyrë unike për të ndërtuar besimin dhe për të forcuar demokracinë, nga vënia e informacionit në dispozicion të publikut deri te krijimi i mekanizmave për pjesëmarrjen e qytetarëve, duke përfshirë kategoritë më të margjinalizuara. Folësit treguan se si avancohen masat parandaluese, duke përfshirë edhe promovimin e integritetit dhe menaxhimin efikas të institucioneve publike.

Në konferencën e përbashkët të SHBA-ve dhe Kombeve të Bashkuara marrin pjesë liderë nga 190 shtete anëtare, si dhe përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare, shoqëria civile, të rinj dhe sektori privat nga e gjithë bota.

Gjatë Konferencës në Atlanta, SHBA, liderët globalë do të promovojnë zbatimin e Konventës Kundër Korrupsionit, e cila vazhdon t'i hapë rrugën komunitetit ndërkombëtar në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit.

Konferenca shënon përvjetorin e dytë të Strategjisë Kundër Korrupsionit të SHBA-ve dhe 20 vjetorin e Konventës së Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit.