Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska u takua me përfaqësuesit e Sindikatës së Zjarrfikësve – u pranua kërkesa për Marrëveshjen Kolektive 16.12.2021

Për shkak të punës së pandërgjegjshme të komandantit të tanishëm të Brigadës Zjarrfikëse Shkup, Vladimir Simonovski dhe për shkak se zjarrfikësit në vazhdimësi ballafaqohen me presione, probleme dhe mosrealizime të të drejtave të punëtorëve që i kanë, kryetari i Sindikatës Përfaqësuese të Zjarrfikësve, Toni Boshkovski, si dhe zëvendës komandanti i Brigadës Zjarrfikëse, Bobi Veljanovski, organizuan një takim me kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, në të cilin biseduan për hapjen e Marrëveshjes Kolektive për sigurimin e kërkesave themelore të zjarrfikësve.

Ata në takim theksuan që kërkesat e tyre të sigurohen, të mbrohen të drejtat e punëtorëve, të paguhet K-15, të njihet puna natën dhe të paguhen në mënyrë adekuate orët e punës shtesë, gjë për të cilën kërkuan zgjidhje emergjente nga Qyteti i Shkupit.

Në takimin me kryetaren Arsovska u ra dakord që të pranohet kërkesa që vlera e pikës në vend të rregullores për përcaktimin e koeficientit për paga, të shndërrohet në vlerën e pikës në Marrëveshjen Kolektive, gjë me të cilën do të mbrohen të drejtat ligjore të zjarrfikësve.

Me Marrëveshjen Kolektive të re zgjerohen të drejtat e të punësuarve në administratën e Qytetit ku janë të përfshirë edhe zjarrfikësit. Në mënyrë plotësuese u ra dakord që të paguhet ajo që nuk u është paguar deri tani, pikërisht të paguhet kompensimi për punë gjatë pushimit javor dhe diferenca nga baza nga ajo që është paguar deri më tani sipas Nenit 13 të Ligjit për Zjarrfikësit.

Këtë problem të nxehtë, të cilin kryetari i mëparshëm nuk arriti ta zgjidhë në mandatin e tij katër vjeçar, Qyteti i Shkupit e zgjidhi në 82 ditët e para të mandatit të kryetares Arsovska.