KOHA ËSHTË TË JESH AKTIV- SHKUPI USHTRON NË AMBIENT TË HAPUR 17.5.2021

Duke filluar nga nesër, 17 maj, për tre muaj me radhë, shkupjanët do të kenë mundësinë të ushtrojnë dhe të rekreohen falas në ambient të hapur me një ekip ekspertësh nga Fakulteti i edukatës fizike, sportit dhe shëndetit. Çdo ditë pune, pas orës 18:00, në lokacione të ndryshme në hapësira publike dhe parqe në Shkup do të ushtrohet gjimnastikë, palestër, pilates, zumba, joga sportive dhe atletikë. Projekti "Shkupi ushtron" i cili ka për qëllim të ndihmojë qytetarët që të përmirësojnë shëndetin e tyre dhe të mirëmbajnë formën fizike realizohet nga Qyteti i Shkupit në bashkëpunim me Fakultetin e edukatës fizike, sportit dhe shëndetit.

- Qyteti i Shkupit përmes trajnerëve profesionistë do t'u mundësojë qytetarëve të Shkupit aktivitet fizik falas gjatë pasdites, nga e hëna deri të premten. Qëllimi ynë është që te gjeneratat e reja të krijojmë shprehi të aktivitetit fizik, kurse te gjeneratat e vjetra të stimulojmë një mënyrë më ndryshe dhe më të shëndetshme të jetesës. Dua të falënderoj Fakultetin për këtë aksion të përbashkët me të cilin do t'i mundësojmë Shkupit dhe shkupjanëve një qasje ndryshe ndaj kulturës fizike. Shpresoj që në fund të korrikut, kur të përfundojë ky aktivitet, do të mundemi me kënaqësi t’i konstatojmë numrat pozitivë të qytetarëve të cilët e kanë shfrytëzuar këtë mundësi - tha kryetari Petre Shilegov, në promovimin e sotëm të projektit "Shkupi ushtron".

Dekan i Fakultetit të edukatës fizike, sportit dhe shëndetit, prof. Dr. Lençe Aleksovska - Veliçkovska shprehu kënaqësinë që Qyteti i Shkupit njohu një partner në institucionin e tyre i cili ekziston 40 vite.

- Do të bëjmë aktivitete fizike në këtë pandemi që fatkeqësisht ende është duke zgjatur. Do t’i respektojmë të gjitha rekomandimet e Ministrisë së shëndetësisë dhe Komisionit për sëmundjet infektive. Qëllimi kryesor është të rrisim vetëdijen për aktivitetin fizik tek të gjitha kategoritë - si fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit. Këtu pas meje janë të gjithë profesorët e universitetit, ekspertët të cilët do të përfshihen, sepse nuk do të ketë vetëm ushtrime, por duhet t’u përgjigjen edhe shumë pyetjeve - sa të ushtrohet dhe si të ushtrohet për të ruajtur shëndetin mendor dhe fizik - sqaroi Veliçkovska.

Prodekani për mësimdhënie në Fakultetin e edukatës fizike, sportit dhe shëndetit, Borçe Daskallovski, nga ana tjetër tha se sfidat e kohës së re dhe mënyra e jetesës duke qëndruar ulur gjatë kohë sjellin shumë probleme shëndetësore te qytetarët.

-Do të japim një impuls, një udhëzim si duhet të punohet me të gjitha kategoritë e moshave, si duhet të ushtrojmë duke aplikuar disiplina të zgjedhura të cilat janë shumë aktuale në botë, por edhe në vendin tonë, me të cilat do mund të përmirësohen dhe të stimulohen veti të caktuara metabolike dhe fiziologjike të organizmit, dhe kështu  të përmirësohet edhe gjendja shëndetësore - tha Daskallovski.

Për orarin ditor të ushtrimeve gjatë muajve maj, qershor dhe korrik qytetarët do të mund të informohen në ueb faqen e Qytetit të Shkupit www.skopje.gov.mk, si dhe përmes rrjeteve sociale të Qytetit të Shkupit. Për të ushtruar janë paraparë 6 lokacione - dy lokacione në Parkun e qytetit; parku në "Tri Biseri" në Aerodrom; parku në Gjorçe Petrov, tek Vero Taftalixhe në Karposh dhe parku në Çair.

Qyteti i Shkupit e mbështet financiarisht këtë projekt sportiv, rekreativ dhe argëtues me 500,000 denarë.

Duhet theksuar se vitin e kaluar, gjatë pandemisë së Kovid 19-të, Qyteti i Shkupit adaptoi një pjesë të Programit për sport për vitin 2020 me qëllim që t'u ofrojë qytetarëve mirëmbajtje profesionale të formës dhe mënyrës së shëndetshme të jetesës deri sa qëndronin në shtëpi. Periudha e kushteve emergjente nuk i lejoi qytetarët të vizitojnë palestrat, studiot e fitnesit dhe sallat sportive, prandaj Qyteti i Shkupit dhe ekipi i instruktorëve nga Shkupi ndihmuan për të ushtruar në shtëpi për të vazhduar me jetesën sportive dhe aktivitetin fizik.

Ushtrimet u ndoqën online në faqen zyrtare të Qytetit të Shkupit në Facebook dhe përfshinë lloje të ndryshme ushtrimesh, pra disa seri të fitnesit crossfit, pilatesit dhe pilatesit pauer, gjimnastikës, ultimejt fit - trajnim funksional, ushtrimeve për kondicion, si dhe ushtrime për atletikë dhe joga.

Këtë vit, vazhdon periudha e kushteve emergjente të pandemisë, por me masa më të lehta kufizuese, të cilat lejojnë qytetarët të lëvizin dhe të ushtrojnë në ambient të hapur.