AUTOKOMANDA DHE ÇENTO LIDHEN ME SHTEG TË ÇIKLIZMIT 17.8.2021

Ndërtimi i shtegut të ri të biçikletave me dy drejtime në bulevardin Aleksandri i Maqedonisë në komunën e Gazi Babës është në realizim e sipër. Bëhet fjalë për vazhdimin e  shtegut ekzistues të biçikletave në gjatësinë 550 metra, në pjesën nga kryqëzimi "Estekada" deri te pompa e benzinës Lukoil, përmes të cilit do të lidhen me shteg çiklizmi vendbanimet Autokomanda, Çento dhe Maxhari.

- Qyteti i Shkupit gjatë këtij viti tejkaloi 100 km shtigje biçikletash. Përveç këtij seksioni, ku jemi sot, po punojmë në shtegun e biçikletave në bulevardin Vidoe Smilevski Bato, si dhe në korsitë e biçikletave në rrugët Hristo Tatarçev dhe Ruzveltova dhe në bulevardin Mitropolit Teodosij Golloganov, dhe tani me të drejtë Shkupi mund të quhet qytet çiklizmi. Ideja jonë është t'u sigurojmë qytetarëve të Shkupit infrastrukturë përmes së cilës ata do të lëvizin nëpër qytet në mënyrë alternative dhe do ta përdorin biçikletën si mjet më të shpejtë dhe më të shëndetshëm të lëvizjes nga një pikë në tjetrën. Kjo është puna jonë. Në tre vitet e fundit, ne kemi arritur të zhvillojmë deri në 20 km shtigje biçikletash në vit - tha sot kryetari Petre Shilegov, i cili së bashku me kryetarin e Gazi Babës, Borçe Georgievski inspektuan punimet ndërtimore të këtij seksioni të rëndësishëm të çiklizmit.

Shilegovi u bëri thirrje qytetarëve të përdorin biçikleta ose transportin publik gjatë lëvizjes së tyre të përditshme, me çka do të kontribuojnë për mjedis më të shëndetshëm jetësor.

Rikujtojmë, vitin e kaluar Qyteti i Shkupit e ka rindërtuar plotësisht rrugën në bulevardin Aleksandari i Maqedonisë në gjatësi prej 5.300 metra, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse gjendet në hyrjen lindore të Shkupit.

Është e rëndësishme të theksohet se shtigje të biçikletave janë parashikuar edhe në pjesën e re të rrugës Vasko Karangelevski, bulevardet ASNOM dhe Nikolla Karev dhe kryqëzimi në Momin Potok.