KËSHILLI I QYTETIT TË SHKUPIT DO TË VOTOJË PËR NDRIÇIM TË ZGJUAR PUBLIK DHE PLATFORMË PËR QYTET TË ZGJUAR 17.12.2020

Plani zhvillimor për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e ndriçimit të zgjuar publik të rrugëve në kuadër të Qytetit të Shkupit dhe platforma për qytet të zgjuar në territorin e Qytetit të Shkupit për periudhën (2021-2023) është një nga pikat kryesore që do të diskutohet sot në Këshillin e  Qytetit të Shkupit në seancën e 60-të. Me këtë  plan zhvillimor konfirmohet se Qyteti ka nevojë për implementim të sistemit për ndriçim të zgjuar dhe platformë për qytet digjital (Digital City), bazuar në teknologjinë më bashkëkohore, internet të gjërave (Internet of Things (IoT), e cila do të mundësojë lidhjen e pajisjeve të ndryshme dhe komponentët e platformës përmes internetit, për të mbledhur informacione për kuptim të saktë të ngjarjeve në kohë reale, analizë të të njëjtëve dhe ndërmarrjen e veprimeve të duhura. 

Implementimi i sistemit për ndriçim të zgjuar parashikon furnizimin dhe instalimin e rreth 10,000 llambave të reja LED për trotuare, sheshe dhe hapësira publike nën kompetencë të Qytetit, dhe me këtë dukshëm do të modernizojë sistemin ekzistues dhe do të përmirësojë efikasitetin energjetik të Qytetit të Shkupit. Sipas analizave fillestare, zëvendësimi i llambave ekzistuese të natriumit dhe merkurit me llambat LED si burime të ndriçimit efikas të energjisë dhe përdorimi shtesë të opsionit për rregullimin e tyre inteligjent (errësimin) të intensitetit të ndriçimit, sjell potencial për kursime të energjisë së konsumuar për ndriçimin publik, prej rreth 70% krahasuar me sistemin ekzistues.

Përveç ndriçimit të zgjuar, parashikohet punimi i platformës për qytet digjital, i cili nënkupton punimin dhe integrimin e moduleve për sistemin e ndriçimit të zgjuar, sistemin për parkim të zgjuar, sistemin e monitorimit të cilësisë së ajrit, sistemin për  opinion publik dhe kënaqësi të qytetareve, sistemin për matje të zgjuar të konsumit të ujit, si dhe Portalin e Qytetit për IoT.

Në seancën e sotme, Këshilltarët do të diskutojnë edhe për një numër më të madh programesh për punë të Qytetit të Shkupit, ku do të vendosin për Programin për mirëmbajtjen e pastërtisë publike në zonën e Qytetit të Shkupit për vitin 2021; Programin për dekorimin e qytetit të Shkupit me flamuj me rastin e festave zyrtare dhe raste të tjera, në vitin 2021; Programin për realizimin e dezinfektimit në zonën e qytetit të Shkupit në vitin 2021; Programin për përgatitjen e planeve urbanistike të Qytetit të Shkupit për vitin 2021; Programin për aktivitetet e Qytetit të Shkupit në fushën e arsimit të mesëm në vitin 2021; Programin për aktivitete në fushën e sportit dhe rinisë në qytetin e Shkupit, për vitin 2021; Programin për aktivitetet e Qytetit të Shkupit në fushën e mbrojtjes sociale, të fëmijëve dhe shëndetit, në vitin 2021; Programin për menaxhimit e mbetjeve në territorin e Qytetit të Shkupit për vitin 2021, si dhe Programin e aktiviteteve në fushën e mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe natyrës në territorin e Qytetit të Shkupit, për vitin 2021.

Në seancën e sotme, këshilltarët do të vendosin edhe për subvencionet për ndërmarrjet publike, si dhe Vendimin për dhënien e çmimit për rezultatet e arritura në Kampionatin Evropian të boksit për të rinj,  për të cilin është  paraparë ndarja e  çmimit prej 100,000 denarë për Ardian Azemin, për suksesin e arritur, duke fituar medalje bronzi në Kampionatin Evropian të boksit për të rinj në Budva - Mali i Zi, në kategorinë e rëndë 91 kg.