Arsovska: Transport publik plotësisht falas për qytetarët për dy vjet, BRT-ja është në dëm të qytetit të Shkupit, u pastruan 120 deponi të paligjshme 17.12.2021

Projekti problematik për vendosjen e transportit  BRT, aksioni për pastrimin e deponive të paligjshme, gjendja katastrofike financiare në të cilën është lënë qyteti nga pushteti i mëparshëm, si dhe gjendja e keqe financiare e ndërmarrjeve publike të qytetit ishin temat për të cilat kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska diskutoi në konferencën e sotme për shtyp me gazetarët.

Sipas  saj përkundër të gjitha problemeve të cilat tashmë dihen për sistemin BRT, te ky sistem veçanërisht problematike është se është sjellë pa u votuar në Këshillin e Qytetit të Shkupit.  

„Duhet të them se ajo që pamë këtu, nga aspekti i zgjidhjes e cila ishte prezantuar në publik si diçka revolucionare, jo vetëm që nuk është revolucionare, por edhe është në dëm të qytetarëve të qytetit të Shkupit. Para së gjithash sepse për transportin BRT, nuk ka vendim nga Këshilli i Qytetit të Shkupit “- tha Arsovska.

Kryetarja Arsovska njoftoi se po punohet në riorganizimin e NTP-së dhe se për dy vjet do të realizohet plotësisht projekti për transportin publik falas për qytetarët.

„Po punohet në programin që kishim planifikuar, pikërisht po ndërmerren hapat e parë për vendosjen në etapa të transportit publik falas. Revizioni në NTP-Shkup ka filluar, po detektohen të gjitha dobësitë në punën e kësaj ndërmarrjeje. Ashtu siç e dini, kjo ndërmarrje ka humbje të mëdha, dhe qëllimi i menaxhmentit të ri është që t’i mundësojë ndërmarrjes të punojë me ulje optimale të shpenzimeve, rritjen e të ardhurave dhe funksionimin e pandërprerë me të gjithë atë që mund të bëhet në periudhën e ardhme. Së pari, ndërmarrja të dalë nga borxhet, së dyti – të mundësohet vendosja e transportit falas, në radhë të parë për ato kategori të cilave u ishte mohuar kjo e drejtë – gjetja e mënyrave për detektimin e mjeteve financiare nëpërmjet donatorëve për prokurimin e këstit të parë të autobusëve, dhe më tej do të shikojmë se si do të jetë financimi – tha sot kryetarja Arsovska.

Arsovska tha se NTP-Shkup filloi realizimin e projektit nga programi parazgjedhor „Shkupi pa lagje të harruara“, pikërisht, zgjerimin e linjave të autobusëve të transportit të linjave atje ku nuk ka.  

„Jeni njohur me faktin se ka një numër të madh vendesh në të cilat për fat të keq transporti publik nuk është i disponueshëm edhe përkundër faktit se ka mundësi teknike për këtë gjë, ndërsa banorët e këtyre vendeve ecin më këmbë nga 2, 3 e më shumë kilometra për të arritur në stacionin më të afërm të autobusit. Në fazën finale është vendosja e orarit të ri të linjave, vendosja e linjave të natës, vendosja e linjave më të shpeshta atje ku ka nevojë duke pasur parasysh se kemi situata të tilla kur në lokacione të caktuara autobusi arrin vetëm dy herë në ditë, gjë që kufizon mënyrën e përdoruesve të transportit publik nga vendet më të largëta për të arritur në shtëpi “- arsyetoi Arsovska.

Ajo sqaroi se Qyteti i Shkupit periudhën e kaluar realizoi një aksion të madh për pastrimin e deponive të paligjshme.

„Përmes raportimeve dhe komunikimit me qytetarët nga të gjitha vendbanimet paraprakisht detektuam rreth 120 deponi të paligjshme. Pastrimin e realizojmë nëpërmjet ndërmarrjeve tona publike dhe në bashkëpunim me një pjesë të komunave në Shkup, ndërsa deri në këtë moment pothuajse të gjitha deponitë janë pastruar. Këtë aksion të përbashkët për pastrimin e deponive të paligjshme e realizojmë për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe për herë të parë në përmasa kaq të mëdha“- tha kryetarja Arsovska.

Kryetarja shtoi se përveç krijimit të deponive të paligjshme, një nga problemet më të nxehta është edhe djegia e tyre, sepse kjo kërcënon shëndetin dhe jetën qytetarëve dhe theksoi se kjo gjë nuk do të tolerohet më.

„Filluam me gjobitjen e pa dallim të të gjithë atyre që do të kapen duke krijuar dhe djegur deponitë, duke rrezikuar në këtë mënyrë jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Momentalisht shërbimet po krijojnë sistem për monitorimin e gjendjes, gjë me të cilën përveç monitorimit me dron të deponive të cilat tashmë janë pastruar, do të punohet në mënyrë aktive për të parandaluar krijimin e sërishëm të tyre “- kategorike është Arsovska.