NJOFTIM PUBLIK 18.1.2024

Para dy ditësh së bashku me inspektorët për mjedisin jetësor të Qytetit të Shkupit parandaluam edhe një ekocid që ndodhte në territorin e komunës Gjorçe Petrov.


Pikërisht, bëhet fjalë për një katastrofë ekologjike të detektuar në komunën Gjorçe Petro , në një parcelë prej 4.000 metrash katrorë pronë private dhe rreth 5.000 metra katrorë pronë e Republikës së Maqedonisë në afërsi të lumit Lepenec, vetëm disa qindra metra larg impiantit të ri për trajtimin e ujërave të zeza që po ndërtohet nga komuna Gjorçe Petrov dhe financohet nga Bashkimi Europian.

Që tragjedia të jetë edhe më e madhe, deponia informale ndodhet në një parcelë që është pronësi e një kompanie që tashmë është nën hetim për vepra të tjera, si dhe të një personi që është i punësuar në komunën e Gjorçe Petrovit, në sektorin e financave, i cili së fundmi është zgjedhur edhe si kryetar i Sindikatës së të punësuarve në komunë. Person i cili në rrjetet sociale shpesh shihet në shoqërinë e kryetarit të komunës së Gjorçe Petrovit, Aleksandar Stojkoski.


Qyteti i Shkupit dhe unë si kryetare nuk do të lejoj që cilido qoftë të vazhdojë me vetëdije dhe për përfitime financiare të helmojë qytetarët e Shkupit.


Rastin e konstatuam së bashku me inspektorët e mjedisit jetësor të Qytetit të Shkupit dhe pas disa ditësh monitorimi të aktiviteteve të deponisë private informale, pardje më 16.01. dhe gjatë kryerjes së ekocidit i kapëm në vendngjarje dhe i penguam në kryerjen e veprimtarisë së kundërligjshme, u krye kontrolli i parcelës, u mblodhën dëshmi për ekocidin e kryer, u fotografua gjendja (që mund ta shihni nga pamjet në këtë konference shtypi, të njëjtat foto do t'jua dërgojmë edhe ju), dhe u mblodhën gjithashtu prova të tjera. Po ashtu, rasti u raportua në MPB, ndërsa në vendngjarje dolën edhe zyrtarë policorë.


Nga provat e grumbulluara u konstatua se deponia private është shfrytëzuar si biznes nga personat e përmendur të cilët jo vetëm kanë shkaktuar katastrofë ekologjike duke hedhur mbetje në zonën e mbrojtur Lepenec, por dyshohet se kanë kryer edhe krim financiar, dhe ajo që është ndoshta më tragjikja në gjithë situatën është pyetja nëse klienti më i madh i këtyre personave që kanë kryer ekocid ka qenë pikërisht komuna e Gjorçe Petrovit?.

Në dokumentacionin e paligjshëm dhe në fletoret në të cilat mbahej evidenca e kundërligjshme e kontabilitetit, mund të konstatohet se përveç kompanive të ndërtimit dhe individëve të cilët kanë paguar nga 1.000-1.200 denarë, klienti më i shpeshtë që ka deponuar mbetje të rrezikshme ka qenë pikërisht komuna. Në këtë lokacion nga i njëjti kontabilitet jolegal mund të shihet se ndërmjet 50 dhe 100 kamionë kanë hedhur mbetje toksike dhe kancerogjene.

Nga ana tjetër, Komuna e Gjorçe Petrovit nuk ka lidhur kontratë me deponinë e vetme sanitare të regjistruar NP “Drisla” për deponimin e mbetjeve komunale.

Kjo është skandaloze, e palejueshme dhe kriminale. Prandaj, dua të falënderoj MPB-në dhe ekipet e Stacionit policor “Gjorçe Petrov” për reagimin e shpejtë dhe interesimin e tyre për t'i dhënë fund këtij lloj krimi, por gjithashtu apeloj që kjo vepër të procedohet sa më shpejt të jetë e mundur. Qyteti i Shkupit ka depozituar kallëzim penal në MPB për personat që kanë bërë biznes me të cilin rrezikohet shëndeti i qytetarëve, ndërsa do të depozitojmë kallëzim të veçantë penal edhe kundër kryetarit të komunës Gjorçe Petrov. Më e pakta që mund të bëjë kryetari është të marrë përgjegjësi morale dhe të japë dorëheqjen nga funksioni i tij.