SHILEGOV: ËSHTË ZGJIDHUR PROBLEMI AFATGJATË ME RROGAT E ZJARRFIKËSVE 18.11.2020

Pas bisedave shteruese që përfaqësuesit e Qytetit të Shkupit dhe të Qeverisë patën me sindikatat e zjarrfikësve të Shkupit, u zgjidh problemi i kahershëm me rritjen e pagave të pjesëtarëve të brigadës së mbrojtjes nga zjarri të Qytetit të Shkupit. Pas takimit të sotëm në stacionin e zjarrfikësve në Autokomandë, Kryetari Petre Shilegov njoftoi se është arritur një marrëveshje me të cilën përmes ndryshimit të rregullores së pagave, paga bazë e zjarrfikësve do të rritet me 20%, në përputhje me kërkesat e zjarrfikësve dhe vendimet e gjykatës.

- Kemi gjetur formë ligjore që ky problem të zgjidhet me nënshkrimin e rregullores së sotme, deri në miratimin e ligjit. Këmbëngulja ime, si kryetar i Qytetit dhe si kryetar i BNJVL-së, është që ne duhet të kemi një formë ligjore për zgjidhjen e problemit të zjarrfikësve në tërë shtetin, sepse kjo është një zgjidhje e pjesshme që vlen vetëm për zjarrfikësit e Qytetit të Shkupit. Këta njerëz rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë për të eliminuar rreziqet në të cilat ndodhen qytetarët dhe veprimtaria e tyre fisnike duhet të mbulohet nga një zgjidhje e plotë ligjore - tha kryetari Shilegov, pas takimit.

Ai shtoi se Qyteti i Shkupit nuk do të ndalojë me pajisjen e zjarrfikësve dhe përmirësimin e kushteve të punës.

- Po i përmirësojmë pajisjet që i kanë zjarrfikësit, po i përmirësojmë burimet teknike,  presim që shkalla të vijë së shpejti, për të lehtësuar punën tashmë të vështirë që po bëjnë këta njerëz. Kënaqësi e imja është që të gjitha palët e përfshira - Qyteti i Shkupit, sindikatat, Këshilli iniciues, Ministria e Mbrojtjes dhe Kabineti i Kryeministrit, arritën të gjejmë një zgjidhje që do të garantojë kompensim adekuat për punën dhe angazhimet derisa të miratohet zgjidhja ligjore - theksoi Shilegov.

Me miratimin e ndryshimeve në rregulloren, që nga muaji tjetër paga bazë e zjarrfikësve duhet të rritet, dhe kjo zgjidhje e përkohshme do të jetë e vlefshme deri në momentin kur Kuvendi miraton zgjidhjen ligjore që do të rregullojë këto çështje në afatgjatë.

Në takimin e sotëm në stacionin Autokomandë morën pjesë edhe përfaqësues të Sindikatave të Zjarrfikësve të Shkupit, Këshillit iniciues, Ministrisë së Mbrojtjes dhe një përfaqësues i Kabinetit të Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.