Takim i Shtabit të Krizave të Qytetit të Shkupit - Autoritetet kompetente të marrin masa urgjente për pastrimin e materialeve të dëmshme në fabrikën Treska 18.4.2022

Sot u mbajt takimi i Shtabit të Krizave të Qytetit të Shkupit, me të cilin kryeson kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, me pjesëmarrjen e komandantit të Brigadës së Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit, Zvonko Tomeski, drejtorëve të ndërmarrjeve publike dhe anëtarëve të Shtabit të Krizave.

Në takim u bisedua për marrjen e masave për parandalimin e zjarreve, pas zjarrit në fabrikën e mëparshme Treska, në komunën Qendër të Shkupit.

U sollën konkluzione ndërmjet të cilave edhe nevoja që institucionet kompetente të marrin masa urgjente për pastrimin dhe mënjanimin e lëndëve djegëse dhe mbetjeve të dëmshme nga fabrika e mëparshme Treska të cilat mund të ndotin ajrin, tokën dhe në përgjithësi mjedisin e banorëve që jetojnë në atë pjesë, gjë me të cilën autoritetet mund të eliminojnë rrezikun e ndotjes dhe përsëritjen e zjarreve. Në terren gjatë shuarjes së zjarrit janë ekspozuar në rrezik zjarrfikësit që kanë ndërhyrë, si dhe shtëpitë përreth që ndaheshin vetëm nga një mur nga zjarri. Në vendngjarje, jo vetëm që në magazina ka pasur disa lëndë djegëse, por ka edhe një rezervuar me kapacitet 20 mijë litra derivate nafte i cili përbën një rrezik të madh që vë në pikëpyetje sigurinë e qytetarëve.

Qyteti i Shkupit vë në dispozicion kapacitetet e tij për ndihmë për pastrimin e materialeve të dëmshme, nëse institucionet kompetente konstatojnë një nevojë të tillë, dhe në të njëjtën kohë për një gatishmëri më të mirë dhe në kohë të shërbimeve për intervenime u soll konkluzioni që të kërkohen informata për bazën e të dhënave nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, për identifikimin e vendeve potenciale të rrezikshme në qytet ku ka cisterna apo magazina me lëndë djegëse apo të rrezikshme, me qëllim ndërhyrjen e shpejtë dhe në kohë për mbrojtjen nga avaritë dhe incidentet e mundshme të shkaktuara nga zjarret.