Arsovska: Këshilli për Mbështetjen e Sipërmarrjes së Grave të Qytetit të Shkupit është një nga hapat kryesorë për zhvillimin lokal 18.11.2021

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, mori pjesë dhe foli në hapjen e “Samitit të parë të Platformës Kombëtare të Sipërmarrjes së Grave”, i cili mbahet sot  dhe nesër në hotelin “Aleksandar Palace”. Në samitin “Perspektiva të reja për sipërmarrjen e grave” do të marrin pjesë më shumë se 100 pjesëmarrëse nga vendi dhe jashtë vendit dhe do të mbahen edhe punëtori në lidhje me zhvillimin e sipërmarrjes së grave dhe aksesit në financa.

- Pata nderin të jem pjesë e ekipit i cili një vit më parë filloi me Platformën Kombëtare për Sipërmarrjen e Grave dhe tani kam privilegjin të jem në një pozicion që praktikisht do të jetë një mbështetje gjithëpërfshirëse e grave sipërmarrëse përmes Këshillit për Mbështetjen e Sipërmarrjes së Grave në Qytetin e Shkupit. Në sektorin privat gratë kanë të drejta, por jo gjithmonë kanë mundësi të njëjta. Kemi punuar së bashku këto vitet e fundit për të provuar dhe demonstruar se përparimi duhet të bazohet në meritokraci, për të lejuar që çdo grua që ka kualifikime, forcë dhe njohuri të mjaftueshme të jetë në gjendje të sigurojë një të nesërme më të mirë për veten dhe familjen e saj dhe të realizojë atë në të cilën beson. Këtu shoh gra shumë të forta, shumicën prej jush ju njoh personalisht sepse kemi pasur këtë mundësi nëpërmjet Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, por edhe përmes organizatave të tjera me të cilat kemi bashkëpunuar vitet e fundit, të krijojmë bashkëpunim dhe besoj që kështu do të vazhdojmë edhe në vitet ardhshme - tha sot kryetarja Arsovska në fjalimin e saj.

Për ndryshim nga politika që parashikon kuota, shtoi ajo, në sektorin privat nuk ka kuota.

- Në sektorin privat, gratë luftojnë për çdo vend, atje nuk ka kuota të garantuara. Duke pasur parasysh se në Evropë numri mesatar i grave në pozita të larta në korporata është rreth 12 për qind, në Maqedoni kjo shifër, për fat të keq, u zvogëlua në 2 për qind në dy vitet e fundit, që është një fakt dërmues, por në të njëjtën kohë duhet edhe të motivojë dhe të japë fuqi për të vazhduar më tej atje ku u ndalëm, e kjo është të luftojmë që çdo grua t’i ketë këto mundësi – theksoi Arsovska.

Ajo shtoi se Qyteti i Shkupit për herë të parë ka një program i cili parashikon që nëpërmjet Këshillit për Mbështetjen e Grave Sipërmarrëse t'i bashkojë në një vend të gjitha palët relevante të interesuara që janë të angazhuara për mbështetjen e sipërmarrjes së grave,  me qëllim krijimin e politikave që janë të rëndësishme dhe të cilat duhet të sjellin rezultatet që presim.