FILLOI RIKONSTRUKSIONI I BREGUT TË LUMIT VARDAR “13 NËNTORI” 19.2.2021

Qyteti i Shkupit sot filloi rregullimin e bregut të lumit Vardar "13 Nëntori", në pjesën  nga sheshi i qytetit deri te rruga Stiv Naumov. Me këtë projekt, do të rregullohet sipërfaqe prej rreth 12,500 metra katrorë, e cila do të lidhet konceptualisht me objektet përreth.

Në fillim e aktiviteteve për rregullimin e kësaj pjese të bregut sot morën pjesë Kryetari Petre Shilegov, Kryeministri Zoran Zaev, Kryetari i Komunës Qendër, Sasha Bogdanoviç, përfaqësues të Qendrës Tregtare të Qytetit, të Telekomit, si dhe biznesmenë të njohur.

- Ky projekt vlen 88.6 milion denarë duke përfshirë TVSH-në, mjete të siguruara nga Buxheti i Qytetit të Shkupit. Këtu parashikojmë pllakëzim krejtësisht të ri, shteg për persona me invaliditet, gjelbërim të lartë - rreshtdrurësh, ulëse, smart-ulëse, shporta për mbeturina xhepi, zhardinierë të rinj për rreshtdrurët, kandelabra, reflektorë për ndriçim si dhe shtylla të reja prej betoni dhe elektrike për realizimin e ndalesës për parkim dhe lëvizje të lirë përgjatë bregut "13 Nëntori". Po lirojmë më shumë hapësirë ​​për çiklistët dhe këmbësorët duke parandaluar plotësisht mundësinë e parkimit të parregullt në këtë hapësirë dhe kufizimin serioz të qarkullimit të automjeteve, duke pasur parasysh që Qyteti ka obligim ndaj Telekomit. Kjo rrugë anësore do të mund të përdoret nga një numër i kufizuar i automjeteve, në intervale kohore ekskluzivisht nga ora 8 deri në 9 të mëngjesit dhe nga ora 14 deri në 17, koha kur punonjësit hyjnë dhe dalin - tha kryetari Shilegov, në konferencën e sotme për media.

Në bregun “13 Nëntori” shtoi ai, do të krijohet hapësirë ​​e mjaftueshme për të gjithë përdoruesit - për qytetarët që e përdorin atë për shëtitje, pushim dhe relaksim, por edhe për bizneset që janë kryesisht objekte hotelierike.

 

- Tarracat që do t'i përdorin objektet e hotelerisë do të unifikohen dhe vendosen në mënyrë që të dal në pah rreshti i bukur i dyfishtë i drurëve shumëvjeçarë. Dërgimi i mallrave do të jetë i mundur vetëm në orë të caktuara përmes Qendrës Tregtare të Qytetit, dhe me biçikletë përgjatë bregut. Me këtë, ne vendosëm më në fund rregull në këtë hapësirë, parandalojmë arbitraritetin dhe kaosin e automjeteve të parkuara në mënyrë të parregullt, që në dhjetë vitet e fundit e kanë bërë të pasigurt lëvizjen e këmbësorëve, por edhe funksionimin e objekteve hotelierike. Jam i lumtur që për disa muaj nga tani, afati i fundit i punimeve është katër muaj, gjatë sezonit të verës bregu "13 Nëntori", krenaria e qytetit tonë, do të jetë përsëri plot me bashkëqytetarë që do të ndihen rehat dhe do të shijojnë të mirat dhe funksionalitetin që i ofron hapësira më e bukur publike në Shkup - theksoi Shilegov.

Sipas kryeministrit Zoran Zaev, ky projekt për bregun e Vardarit në Shkup do t'i japë një shenjë që ka çdo qytet i madh evropian që zhvillohet përgjatë lumit dhe në të cilin brigjet kultivohen si sipërfaqe publike ku fillimisht ka vend për qytetarët, gjelbërimin dhe komunikimin papengesa me të gjitha përmbajtjet tjera të qytetit.

- Për mua veçanërisht është e rëndësishme që përparësitë e këtij rikonstruksioni i kanë pranuar pronarët e objekteve hotelierike, dhe që ata personalisht do të çmontojnë tarracat verore për të mundësuar kryerjen e punëve pa probleme. Kjo më konfirmon se edhe ata, si dhe të gjithë qytetarët e Shkupit dhe autoritetet e qytetit e kanë njohur vlerën e shtuar të këtij projekti. Rregullimi modern i bregut  do ta rrisë frekuencën e vizitorëve dhe do të inkurajojë aktivitetin turistik, që do të thotë më shumë mysafirë në objektet hotelierike. Ajo që na ka mësuar pandemia Covid 19 është se sa të rëndësishme janë hapësirat e lira publike të pasuruara me gjelbërim për të mundësuar njerëzit të lëvizin lirshëm në mjedise të shëndetshme. Është e rëndësishme për mua dhe Qeverinë që të lirojmë edhe një pjesë tjetër të hapësirave publike që u okupuan nga "Shkupi 2014" veçanërisht përgjatë bregut të Vardarit dhe që do të lirohet hyrja nga ana veriore e Qendrës Tregtare të Qytetit, një nga markerët më të njohur të qytetit, - theksoi kryeministri Zaev.