Arsovska: Pas katër dekadash po rikonstruktojmë rrugën “Skoevska” në Radishani 21.4.2022

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska dhe kryetari i komunës së Butelit, Darko Kostovski, sot inspektuan gjendjen e rrugës “Skoevska” në lagjen Radishani, për rikonstruksionin e plotë të së cilës Qyteti i Shkupit ka ndarë 24 milionë denarë.

- Pas katër dekadash, me kërkesë të banorëve të Radishanit, për herë të parë po rikonstruktohet rruga “Skoevska”, e cila është një nga rrugët më të rëndësishme në këtë lagje. Përveç rrugës kryesore, projekti do të përfshijë edhe tre degë të saj, gjë me të cilën do të rikonstruktohet tërësisht ky segment prej rreth 1800 metrash. Qyteti i Shkupit është në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët, i dëgjojmë kërkesat e tyre dhe jemi të përkushtuar që të ofrojmë zgjidhje efikase dhe të sigurta që para së gjithash ofrojnë kushte cilësore për jetë, tha kryetarja Arsovska.

Ajo shtoi se përveç kësaj rruge, këtë vit është planifikuar rikonstruksioni i një pjese të rrugës “Butelska” në gjatësi prej rreth një kilometër, gjë për të cilën janë duke vazhduar procedurat tenderuese, dhe është planifikuar rikonstruksioni i disa rrugëve tjera në këtë komunë.

Kryetari i komunës Kostovski u shprehu kënaqësinë për realizimin e këtij projekti, sepse me të do të zgjidhet problemi 40 vjeçar i më shumë se 7000 banorëve në lagjen Radishani dhe do të rritet siguria në komunikacion, ndërsa qytetarët do të kenë një rrugë plotësisht të rikonstruktuar.

Përveç investimeve në infrastrukturën e komunikacionit, Qyteti i Shkupit në periudhën e kaluar në territorin e komunës së Butelit realizon edhe një sërë aktivitetesh për rritjen e sipërfaqeve të gjelbra. Deri më tani ka përfunduar korridori i gjelbër në lagjen Butel 1 në një sipërfaqe prej 1496 metrash katrorë, ndërsa në disa lokacione të tjera janë duke u ngritur parqe dhe hapësira të reja të gjelbra.