U nënshkrua granti i BEI-së për ndërtimin e impiantit të pastrimit 22.3.2023

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, sekretari i Qytetit të Shkupit, Zoran Gligorov dhe drejtori i NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” - Shkup, Dragan Ilievski, në prag të shënimit të Ditës Botërore të Ujit, 22-mars, morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të grantit me vlerë 69,784,283 € për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup, projekt i shënuar si projekti më i madh kapital ekologjik për Shkupin me mbështetjen e Delegacionit Evropian, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Evropiane të Investimeve dhe Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) - Zyra e Koordinimit të IFI (IFICO), që do të mundësojë trajtimin e ujërave të zeza urbane sipas standardeve të BE-së.

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq, E.T. Dejvid Gir, ambasador i Bashkimit Evropian në Maqedoni, Liljana Pavlova, zëvendës presidente e Bankës Evropiane për Investime, Fatmir Besimi, ministër i Financave, Kaja Shukova, ministre e Mjedisit.

Impianti i pastrimit do të jetë një nga impiantet më moderne për trajtimin e ujërave të zeza në rajon. Ai do të jetë në përputhje me kriteret kryesore të direktivave ekzistuese dhe të propozuara evropiane për ujërat e zeza dhe pritet të sigurojë trajtim të sofistikuar të ujërave të zeza të qytetit. Do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e ujit në lumin Vardar dhe mjedisin jetësor. Veçanërisht mbresëlënëse është dispozita për qëndrueshmëri në aspektin e përdorimit të energjisë. Pritet që impianti i pastrimit të jetë i vetëqëndrueshëm për sa i përket shpenzimit të energjisë elektrike, përveç kësaj do të mund të prodhojë energji të tepërt, e cila do të shitet në rrjetin kombëtar të energjisë elektrike.

Qyteti i Shkupit vlerëson rolin dhe përkushtimin e Bankës Evropiane për Investime, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian në drejtim të sigurimit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë si dhe qytetarëve të qytetit të Shkupit. Ky projekt mundëson menaxhim të integruar të ujërave të zeza, përkushtimi evropian i të cilit qëndron në mbështetjen e vizioneve globale, rajonale dhe lokale për zhvillim të qëndrueshëm.

Qyteti i Shkupit është institucion me përgjegjësi, institucion në të cilin vlejnë ligjet, procedurat dhe zgjidhjet sistematike përkundër manipulimeve dhe insinuatave politike. Qytetarët e qytetit të Shkupit kanë të drejtë të jetojnë në një qytet modern, në të cilin të gjithë kanë mundësi të barabarta.