Filloi pastrimi i deponisë në pronën private përballë Qendrës Klinike “Nënë Tereza” 22.3.2022

Inspektorati i Qytetit të Shkupit së bashku me inspektorët e Komunës Qendër filluan një aksion të koordinuar për pastrimin e deponisë së madhe në pronë private, që gjendet në rrugën “Nënë Tereza”, përballë Qendrës Klinike.

Bëhet fjalë për një deponi që shtrihet në dy parcela dhe që është krijuar prej dekadash, ndërsa në këtë vend ka shumë persona të strehuar në mënyrë të paligjshme – grumbullues mbetjesh. Vendbanime të tilla të paligjshme paraqesin rrezik potencial për ndotjen e mjedisit dhe shëndetin e qytetarëve.

Pronarëve të parcelave u është lëshuar një urdhër për pastrimin e plotë të deponive nga pronat e tyre dhe nëse nuk veprojnë sipas urdhrit brenda afatit të caktuar, pronat do të pastrohen nga ndërmarrjet publike komunale me shpenzimet e pronarëve.

Për zgjidhjen e problemit me banorët të cilët jetojnë në vendbanime të paligjshme, që është një fenomen i pranishëm prej dekadash, në periudhën në vijim do të merren masa për përkujdesjen institucionale të tyre.

Pastrimi i të gjitha deponive të paligjshme në Shkup është prioritet, me qëllim parandalimin e ndotjes së ajrit, tokës dhe ujërave dhe ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.