Arsovska gruaja e parë e cila do të udhëheqë me të 81 komunat në BNJVL 22.12.2021

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, sot në seancën konstituive u zgjodh njëzëri kryetare e re e Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), e cila i bashkon të gjitha 81 komunat në vend. Arsovska theksoi se qëllimi kryesor në mandatin e saj katërvjeçar në BNJVL do të jetë intensifikimi i procesit të decentralizimit dhe sigurimi i rritjes së stabilitetit financiar dhe pavarësisë së të gjitha komunave.

-Ajo që është e rëndësishme, për të cilën kemi konsensus në mandatin e ri të Këshillit Drejtues të BNJVL-së, është se në mandatin e ardhshëm katërvjeçar do t'i përkushtohemi intensifikimit të procesit të decentralizimit, i cili ka kohë që ka ngecur. Ky proces në katër vitet e ardhshme duhet të sigurojë pavarësi më të madhe financiare dhe stabilitet të qeverisjes vendore dhe gjithsesi marrjen e përgjegjësive më të mëdha nga njësitë e vetëqeverisjes lokale. Besoj se do të kemi mundësinë të tregojmë se si BNJVL-ja i bashkon të 81 komunat në Maqedoni, se do të mund të marrim vendime njëzëri ashtu si edhe sot, që do të përfaqësojmë interesat e qytetarëve që na kanë dhënë besimin e tyre dhe që do të mundësojmë në mandatin e ardhshëm katërvjeçar t'i realizojmë të gjitha projektet që i kemi planifikuar së bashku, theksoi kryetarja Arsovska

Për zëvendës të saj u zgjodhën kryetari i Komunës së Valandovës, Pero Kostadinov dhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.